
Zelensky: Putin vijon të minojë demokracinë! E prita, por kishte frikë të vinte në Ankara
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalës së tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian që po zhvillohet në Tiranë, falënderoi Shqipërinë për mikpritjen dhe mbështetjen e palëkundur ndaj Ukrainës në luftën kundër agresionit rus.
“Faleminderit që na keni pritur në këtë vend që beson te Evropa”, u shpreh ai, duke theksuar se paqja në kontinent varet nga mënyra se si përfundon lufta në Ukrainë.
“Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt dhe në mënyrë të drejtë. Paqja në Evropë varet nëse Ukraina do ta fitojë atë”, tha Zelensky.
Ai zbuloi se ishte i gatshëm për një takim kokë më kokë me Vladimir Putinin në Ankara ditën e djeshme, por tha se presidenti rus refuzoi të ishte i pranishëm, duke dërguar një delegacion të një niveli të ulët dhe pa asnjë kompetencë vendimmarrëse.
“Ishte e mundur që gjatë kësaj jave të merreshin hapa nëse Putin nuk do të kishte frikë të vinte në Turqi. Isha dje në Ankara, isha gati për një takim kokë më kokë me të. Por ai nuk ra dakord për asgjë. Shihej qartë që delegacioni rus ishte i një niveli të ulët dhe nuk mund të merrnin vendime. Megjithatë unë dërgova një delegacion të udhëhequr nga Ministri i Mbrojtjes. Putin vijon të minojë demokracinë”, ka deklaruar Zelensky.