Zeneli vendosi me zemër për Suedinë

08 shtator 2025 | 13:43

Besfort Zeneli ka treguar se arsyeja pse e refuzoi Kosovën ishte se zemra e tij rrihte më fort për Kombëtaren e Suedisë. Para se t’i bashkohej Suedisë, Zeneli luajti gjashtë ndeshje për Kosovën U21.

22-vjeçari për herë të parë u ftua te Suedia në muajin mars në dy ndeshjet miqësore ndaj Luksemburgut dhe ndaj Irlandës së Veriut. Mesfushori i Elfsborgut ka tri ndeshje të luajtura për Suedinë, por nuk u ftua për duelet e këtij muaji ndaj Sllovenisë dhe ndaj Kosovës.

“Ishte një zgjedhje e vështirë. Mund të kisha luajtur si për Suedinë ashtu edhe për Kosovën. Në fund, zemra më rrihte më fort për Suedinë dhe pastaj zgjodha atë që më dukej e drejtë në shpirt. Familja, të afërmit dhe miqtë, të gjithë e mbështetën vendimin tim”, ka thënë ai. Ndërkohë edhe vëllai i madh i Besfortit, Arbër Zeneli, ka dhënë intervistë për mediumet suedeze. Arbëri ka 33 ndeshje të luajtura dhe nëntë gola të shënuar me Kosovën por që nga viti 2023 nuk është ftuar për “Dardanët”.

“Albert Bunjaki atëherë selektor i Përfaqësueses së Kosovës kishte një vizion për mua me ekipin përfaqësues të parë të Kosovës dhe kjo ishte zgjedhja ime”, ka thënë Arbëri. Sikurse Besforti, edhe Arbëri luan te skuadra e Elfsborgut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të…