Zëri që nuk heshti përballë së keqes

24 korrik 2025 | 08:35

Salajdin SALIHU

Profesor Agim Vinca është figurë madhore, jo vetëm me veprën e tij letrare e shkencore, por edhe për guximin qytetar e intelektual.

Për brezin  tim dhe brezin paraardhës ai është shembulli i intelektualit që nuk heshti kur fjala e lirë ndëshkohej me persekutim.

Im atë, që e takoi vetëm një herë profesor Vincën, në promovimin e librit tim të parë, e vlerësonte thellësisht për shkrimet e tij polemizuese, të botuara në revistat serbe, kroate e maqedonase, në kohën kur të mbroje të vërtetën shqiptare ishte akt i rrallë guximi intelektual.

“Profesor Agim Vinca guxon të thotë atë që të tjerët e heshtin”, më thoshte shpesh im atë.

Kur e rilexoj librin Populli i pandalur, më rikthehet në kujtesë ajo kohë e zymtë, kur shqiptarët në ish – Jugosllavi, jetonin nën trysninë e propagandës, diskriminimit dhe dhunës.

Isha nxënës i shkollës së mesme, kur në korridoret e shkollës shfaqeshin anëtarë të “komitetit” dhe lexonin “referate” kundër “paternalizmit kosovar”, ku ndër “armiqtë” më që përmendej më së shpeshti ishte Agim Vinca.

Ne, që i lexonim me pasion shkrimet e tij, refuzonim të merrnim pjesë në këtë spektakël marrëzie, sepse e kishim kuptuar që gjithçka që thuhej aty ishte propagandë.

Profesor Vinca etiketohej si “nacionalist” dhe “separatist”, sepse guxonte të shkruante, të polemizonte dhe të mbronte të vërtetën në një kohë të egër dhe të zymtë, veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë së atëhershme. Ai ishte njëri nga zërat në shkretëtirë që u dëgjuan në kohën kur ishte rrezik edhe të heshtje, sepse heshtja quhej “oportunizëm” dhe dënohej. Madje, shpesh shtrohej pyetja famëkeqe: “Përse heshtin intelektualët?”

Intelektualët shqiptarë nuk duhej të heshtnin, por të flisnin dhe të shkruanin kundër intelektualëve të shquar, siç ishte edhe profesor Agim Vinca.

Brezi i ri nuk e di sa e rrezikshme ishte që t’i botoje shkrimet si ato që janë përfshirë në këtë libër. Nuk mund ta dijë, sepse nuk ia kemi rrëfyer mjaftueshëm atë që ndodhi në atë periudhë. Harrojmë shpejt, dhe shkaku i kësaj harrese rrezikojmë të përsërisim gabimet e së shkuarës.

Ribotimi i librit Populli i pandalur, që i shërben edhe këtij qëllimi. Ky libër që dikur e rrezikonte, sot e nderon profesor Agim Vincën, poetin që jeton për të bukurën dhe intelektualin që jeton për të vërtetën.

Agim Vinca si poet është lirik, kurse si mendimtar është kritik dhe racional. Ai shkroi për shumë dukuri negative, polemizoi me guxim dhe kulturë me shumë autorë serbë e maqedonas, duke mbrojtur edhe personalitetet më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare nga sulmet e politikës shoviniste.

Në librin Populli i pandalur shfaqet një protestë e fuqishme kundër dhunës, gënjeshtrës dhe errësirës nga një zë i ndërgjegjes intelektuale që nuk pranoi të heshtë.

Nëpërmjet shkrimeve dhe polemikave që janë botuar në shumë gazeta e revista të ish-Jugosllavisë dhe në shtypin shqiptar, profesor Vinca u bë pjesë e një rezistence të heshtur, por të palëkundur intelektuale, kundër propagandës sistematike antishqiptare, dhunimit të së vërtetës, ndryshimit të toponimeve dhe diskriminimit të shqiptarëve.

Do të doja që këto shkrime të ishin vetëm dëshmi e një kohe të kaluar, por, fatkeqësisht, shumica e tyre duken sikur janë shkruar sot. Historia përsëritet, veçanërisht për ata që harrojnë.

Në kohën e banalitetit, refreneve e klisheve, duhet t’u rikthehemi librave që na hapin “portat e mendimit”, siç tha Brodski. Duhet t’i rikthehemi librit Populli i pandalur, por edhe t’i nderojmë personalitetet që guxuan të mbronin të vërtetën në kohë të vështirë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mosmarrëveshja midis Tajlandës dhe Kamboxhias daton më shumë se një…