
Zëvendëskryeministri Tahiri thotë se nuk ka më punësime me të njohshëm
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, bashkëqeverisjen me LDK-në është duke e parë si të suksesshme në luftimin e aferave korruptive dhe kthimin e meritokracisë në punësimet në administratën e shtetit dhe largimin e punësimit me të njohshëm.
Ai në seancën e sotme plenare, ku ekzekutivi është duke raportuar për punën 100-ditore, ka thënë se kanë larguar mundësinë e kontratave mbi vepër në këtë institucion shtetëror.
“Është qeveri që ka zero afera korruptive dhe mbi të gjitha po vazhdohet që është ndërtuar në menaxhimin publik dhe shfrytëzimin racional të buxhetit. Tek mirëqeverisja ka nisur diçka edhe që është historike. Është hera e parë që ka filluar rekrutimi online i punëtorëve të administratës së shtetit”.
“Të nderuar deputetë të kaluarën kriteret e intervistave kanë qenë në bazë të intervistës. Tash është nis një proces që e ka kthyer meritokracinë. Me thënë më troç më nuk ka punësim me të njohshëm. Po ashtu, kontratat në vepër që kanë qenë kanceri i Administratës së Shtetit më nuk ekzistojnë”, ka thënë Tahiri.
Një deklaratë e tillë ka shkaktuar reagime dhe të qeshura nga deputetë të opozitës.