Zgjedhjet e 6 tetorit treguan se reforma zgjedhore është e domosdoshme

03 nëntor 2019 | 12:36

Ish-anëtari i KQZ-së, aktualisht anëtar i Kryesisë së LDK-së, Florian Dushi, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit kanë dëshmuar se reforma zgjedhore është e domosdoshme për ta ruajtur sistemin demokratik dhe parlamentar në Kosovë.

Ai ka deklaruar se kjo reformë duhet të jetë prioritet i qeverisë së re. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Dushi ka deklaruar se reforma duhet t’i përfshijë elementet të cilat do ta ruanin të pacenuar integritetin e zgjedhjeve që është cenuar së fundmi.

Kurse sa i përket vendimit të Gjykatës Supreme për votat e ardhura me vonesë nga diaspora, ka thënë se është i diskutueshëm sepse, sipas Dushit, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është shumë i qartë në këtë drejtim.

Ndërsa për votat e dyshimta që kanë ardhur në zarfe nga Serbia, ai ka thënë se KQZ-ja duhet të vendosë në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore të përcaktuara në ligj

“Epoka e re”: Z. Dushi, si e keni parë vendimin e Gjykatës Supreme me të cilin Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) obligohet që t’i numërojë mbi 4 000  vota të ardhura nga diaspora me vonesë dhe si duhet të veprohet më tutje?
Dushi: Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme rreth fletëvotimeve të ardhura me vonesë në KQZ është në vazhdën e vendimeve të diskutueshme të këtij organi gjyqësor. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është tejet i qartë në këtë drejtim, duke saktësuar procedurën sikur edhe afatet brenda të cilave duhet të realizohet kjo e drejtë kushtetuese nga ana e qytetarëve tanë. Ata që e kuptojnë mirë dhe drejt natyrën periodike të zgjedhjeve, afatet kushtetuese për konstituimin e organeve që dalin nga këto zgjedhje, e dinë se afatet në zgjedhje janë tejet të rëndësishme dhe kjo e drejtë kushtetuese, sipas Kushtetutës, por edhe sipas konventave ndërkombëtare të cilave iu referohen vetë ata, nuk është e pakufizuar në kohë dhe e papërcaktuar si procedurë, ndryshe ne nuk do të kishim zgjedhje periodike, por të vazhdueshme, në pritje të përhershme të arritjes eventuale të ndonjë vote nga jashtë! Flas në aspektin profesional dhe ligjor, përndryshe ata që presin ose kanë interesa subjektive nga këto fletëvotime, kanë provuar që këtij procesi t’i japin edhe konotacion patriotik.

“Epoka e re”: KQZ-ja ka pranuar edhe votat në zarfe të ardhura në mënyrë të paligjshme nga Serbia, madje ato janë numëruar në kushte të jashtëzakonshme nga rreziku për helmim.
Dushi: Po, ne kemi përvoja edhe nga proceset e mëhershme dhe nga kjo përvojë ne kemi parë dhe kuptuar pa asnjë dilemë se ato janë vota të manipuluara sipas të gjitha gjasave nga një qendër e vetme diku në Serbi, nga një qendër e cila ka dhe keqpërdor të dhënat e qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës të cilët gjenden atje, e që trajtohen nga institucionet shtetërore atje si refugjatë. Këto dërgesa, zarfet, fletëvotimet dhe mënyra e ardhjes së tyre nga Serbia, përbëjnë bazë të mjaftueshme për dyshim për atë çfarë e thashë më sipër. Shtoja kësaj faktin që të gjithë këta ‘votues’ përmes postës kanë votuar për vetëm një subjekt të vetëm politik “Listën Serbe” (ndërkohë që kishim 4 subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje) që është një instrument politik dhe jo vetëm, i Qeverisë së Serbisë në Kosovë, dyshimi rritet akoma më shumë. Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto, konsideroj se KQZ-ja do të duhej t’i trajtojë këto fletëvotime në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme dhe të vendosë në frymën e këtyre parimeve për këto fletëvotime.

“Epoka e re”: Ndonëse procesi zgjedhor i 6 tetorit u cilësua ndër më të mirët të mbajtur në Kosovë, megjithatë është përcjell me disa gabime teknike dhe njerëzore. Cilat mendoni se kanë qenë arsyet që kanë sjellë këto gabime dhe vonesa në publikimin e rezultateve përfundimtare?
Dushi: Ka shumëçka që duhet të analizohet dhe të trajtohet lidhur me këto zgjedhje. Që nga vendimet e organeve që janë të autorizuara të shqyrtojnë dhe vendosin lidhur me ankesat dhe që përmes vendimeve të tyre kanë sjellë interpretime të reja që bien ndesh me praktikat e KQZ-së, praktika këto të ndërtuara në mbështetje të plotë ligjore, deri te veprimet e vet KQZ-së, sikur rasti i ngritjes së nivelit të tolerancës në një vendvotim në plus/minus 450 vota që është në kundërshtim me rregullat zgjedhore, veçanërisht abuzimi me votat e kandidatëve nga ana e kryesuesve dhe anëtarëve të këshillave të vendvotimeve që duket se në disa raste kanë qenë të shtyrë/porositur për ta bërë një gjë të tillë, kanë bërë që të kemi vonesa në përpilimin dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së, të cilat prapë frikësohem se nuk do të jenë korrekte nisur nga ajo çfarë kemi parë të ketë prodhuar rinumërimi i deritashëm.

“Epoka e re”: Një reformë e mirëfilltë zgjedhore, a do t’i shmangte këto gabime si dhe do ta avanconte procesin zgjedhor?
Dushi: Unë vazhdimisht kam kërkuar të kemi një reformë të mirëfilltë zgjedhore, por këto zgjedhje kanë treguar se ajo tashmë është e domosdoshme për ta ruajtur të pacenuar sistemin demokratik e parlamentar në vendin tonë për ta ruajtur, në fund të fundit, qëllimin pse zgjedhjet organizohen në një vend. Institucionet tona, subjektet politike, duhet me urgjencë dhe seriozitet ta nisin këtë proces, duke marrë për bazë dhe përshtatur nevojave të vendit tonë, standardeve dhe praktikave më të mira të shteteve të cilat tashmë kanë arritur të ndërtojnë, konsolidojnë dhe avancojnë sistemin e tyre demokratik, duke përfshirë edhe rekomandimet e misioneve të vëzhguesve të BE-së.

“Epoka e re”: Reforma zgjedhore mendoni se duhet të jetë një ndër prioritetet e qeverisë së re?
Dushi: Reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet i qeverisë së re, por është përgjegjësi e të gjitha subjekteve politike në vendin tonë. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin që ky sistem të përmirësohet, të avancohet në kuptimin e përmbushjes së qëllimit dhe misionit të zgjedhjeve në vendin tonë. Reforma duhet të përfshijë elemente të forta të cilat do ta ruanin të pacenuar integritetin e zgjedhjeve, i cenuar së fundmi dhe i kërcënuar në të ardhmen nga të njëjtit faktorë për të cilët folëm më sipër.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-anëtari i KQZ-së, aktualisht anëtar i Kryesisë së LDK-së, Florian…