Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë dhe përfaqësimi i grave në lista

24 nëntor 2025 | 21:46

Shkruan: Dr. Sc. Antigona Gashi

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, çështja e përfaqësimit të grave në politikë rikthehet sërish në diskursin publik. Edhe pse kuota prej 30 për qind garanton formalisht pjesëmarrjen e grave në lista zgjedhore, realiteti tregon se kjo përfshirje shpesh mbetet një obligim procedural, më shumë sesa një vlerësim i vërtetë i potencialit që ato sjellin në politikë. Në mënyrë ideale, do të duhej të kishte garë të barabartë dhe, si rezultat, edhe përbërja e Kuvendit do të ishte më e balancuar sesa është sot.

Gratë në Kosovë mbeten të nën-përfaqësuara fillimisht në listat zgjedhore dhe më pas edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës si deputete.

Subjektet politike përpilimin e listave e bëjnë duke u bazuar në Ligjin nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, duke anashkaluar shpesh Ligjin nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore.
Ligji për Barazi Gjinore është instrumenti kyç për trajtimin e çështjeve gjinore në vend. Neni 6.8 i këtij ligji thekson: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”. Nisur nga kjo, do të duhej të gjitha subjektet politike që përpilimin e listave zgjedhore ta bëjnë në mënyrë të barabartë, 50/50 për secilën gjini.

Në shumicën e partive politike në Kosovë, gratë ende nuk gëzojnë mbështetje substanciale dhe të barabartë me burrat. Ato zakonisht vendosen në pozita më pak të dukshme, u ofrohet më pak hapësirë për të ndërtuar profil publik dhe shpesh nuk trajtohen si aktore të rëndësishme politike. Në vend që të shihen si burim i kontributit të barabartë në zhvillimin e politikave dhe qeverisjen e vendit, përfaqësimi i grave trajtohet kryesisht si plotësim i një norme të domosdoshme ligjore.

Kjo qasje reduktuese krijon perceptimin se gratë janë aty “sepse duhet”, e jo sepse meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes. Si rezultat, kuota nuk arrin qëllimin e saj thelbësor: fuqizimin real të grave në politikë dhe avancimin e barazisë gjinore. Për aq kohë sa partitë politike nuk e shohin pjesëmarrjen e grave si një mundësi të vlefshme dhe jo si detyrim – pra sistemi politik rrezikon të mbetet i njëanshëm dhe i pabalancuar.

Si përfundim, pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë vazhdon të jetë e ulët. Barazia gjinore nuk arrihet vetëm me numra, por me vullnet politik, mbështetje të sinqertë dhe hapësirë të barabartë për të gjithë zërat që kontribuojnë në zhvillimin e shtetit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Dardan Gashi në Debat Plus, duke folur për bllokadën…