Zgjedhjet lokale, asgjë befasuese!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Të gjithë fitues, askush humbës: Raundi i parë i zgjedhjeve lokale nuk solli ndonjë befasi të madhe, tërmet politik, jo se jo. Të gjithë e fituan kafshatën e përtypur që nga viti 2021. Deklaratat e partive politike para zgjedhjeve përkatësisht para rezultateve preliminare ishin kryesisht për të qetësuar votuesit dhe, në një mënyrë në korniza të pranuara. Vetëm një komunë e madhe, Ferizaj fitoi pa balotazh. Gjilani për një fije floku nuk fitoi pa balotazh. Nëse nuk janë numëruar votat e diasporës, mund të ndodhë që Gjilani të fitoi pa balotazh. Nëse shkon në balotazh, do të ketë shumë probleme ta fitojë edhe një mandat Alban Hyseni i LV-së.
Pa balotazh më së shumti ka fituar Lista Serbe, nga tre komuna LV-ja dhe PDK-ja, dy i ka fituar LDK-ja ndërsa nga një kanë fituar AAK-ja, NISMA dhe partia turke në Mamushë. Dhe këtu merr fund raundi i parë, balotazhi e bënë arkitekturën e pushtetit lokal sikur edhe atij qendror. Pse, mund të pyesni dhe përgjigja ime është se: Renditja sipas fuqisë politike qendrore deri më tani LV-ja, pa balotazh, nuk e nxjerrë fituese.
1. LV-ja ka fituar pa balotazh në Podujevë, Shtime dhe Kamenicë. Në Podujevë dhe Kamenicë nuk pati balotazh, jo se partia fituese ishte e fortë por se PDK-ja ishte e dobët dhe luajti me lojtarë të gabuar. LDK-ja në Podujevë kandidatin për kryetar e kishte jobindës kurse renditjen e listës për asamblistë e kishte klienteliste dhe jo të mbështetur në meritokraci. Kurthi ia flladiti Bulliqit grazhdin me vota me 4 milionë euro pak para ditës së votimit.
2. PDK-ja pa asnjë nevojë eksperimentoi me Drenasin dhe Kaçanikun, të parin e humbi, të dytin e ka në “teh të shpatës”, si për ta fituar ashtu edhe për ta humbur. Shkon në balotazh në 6 komuna, me LV-në në 4 komuna, me nga një komunë me LDK-në dhe AAK-në.
3. LDK-ja ka fituar dy komuna pa balotazh, në 7 komuna shkon në balotazh. Me PDK-në lufton në Dragash, me AAK-në në Junik kurse me LV-në në Pejë, Gjilan, Fushë Kosovë, Obiliq, Viti dhe Prishtinë.
4. AAK-ja ka fituar Deçanin pa balotazh. Me LDK-në është në Junik dhe Therandë, me LV-në në Gjakovë dhe në Klinë me PDK-në. Pasi LV-ja është në garë të drejtpërdrejtë me LDK-në për Prishtinën, Pejën dhe Gjilanin, nuk ka asnjë interesim për marrëveshje bashkëpunimi të ndërsjellë. LV-ja është në garë të drejtpërdrejtë me PDK-në në Prizren, Mitrovicë dhe Kaçanik prandaj nuk i duhet asnjë marrëveshje.
Në anën tjetër Prishtina, Mitrovica e Jugut dhe Gjilani kanë peshë jetike për LV-në, më shumë për zgjedhje të përgjithshme, se ato lokale. Për PDK-në dhe LDK-në është qenësore dhe me rëndësi të veçantë ruajtja e qyteteve të mëdha, Prishtinën, Pejën dhe eventualisht Gjilanin për LDK-në dhe Prizrenin dhe Mitrovicën e Jugut, për PDK- në.
Si mund të realizohet kjo: Vetëm PDK-ja mund të sigurojë fitoren e LDK-së në Prishtinë, të ndihmojë në fitoren në Pejë, Viti, Obiliq dhe të mbajë gjallë shpresën për fitore në Gjilan, Fushë Kosovë dhe Therandë. LDK-ja është vendimtare për fitore të PDK-së në Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Vushtrri sikur të ndihmojë edhe në Klinë dhe Kaçanik. PDK-ja duhet të gjejë rrugë të përafrimit me Ramiz Lladrovcin para datës 9 nëntor që do të ndikonte mbase edhe në Kaçanik (më shumë) si dhe në komunat tjera ku garon në balotazh.
Për rezultatin aspak të mirë të LV-së në zgjedhje lokale nuk kanë faj fare exitpollet, është kërkesë qesharake kërkesa e Kurthit për hetim të tyre. Autorët e exitpolleve nuk e kanë dëmtuar aspak LV-në por e kanë dëmtuar reputacionin e tyre. LV-në e kanë dëmtuar fjalori i shfrenuar i Kurthit, Pecit, grekes Mihali, Antikombëtarit Murati dhe Basha dhe “Çetës së Injorantëve” të LV-së. Në një situatë të mirëmbajtjes së higjienës orale gjatë deklarimeve publike, LV-ja dhe Peci do ta fitonin Mitrovicën e Jugut, pa balotazh, qartazi bindshëm.
Për mua, ndonëse nuk fitoi pa balotazh, yll i këtyre zgjedhjeve është Arian Tahiri i PDK-së. Yje janë edhe Agim Aliu, Ramiz Lladrovci.
Është edhe një mundësi, në dukje e pabesueshme por, në moçalin tonë politik shumë e realizueshme. PDK-ja ndihmon LV-në në Prishtinë, Gjilan, Pejë, Fushë Kosovë, Viti, Obiliq duke e përjashtuar LDK-në nga thuaja të gjitha komunat ku garon me LDK-ja në këmbim të Mitrovicës, Prizrenit etj. e që do të përfundonte me koalicion në nivel qendror ku PDK-së do t’i takonte posti i presidentit dhe kryetarit të Kuvendit! A kemi mbërri në nivel të tillë të çmendisë! Vështirë e besueshme por jo edhe e parealizueshme!
Qeveria Kurthi 3 edhe nëse formohet (nuk e besoj), me rrëzimin e Rashiqit nga Gjykata Kushtetuese sepse zgjedhja e tij është 100 për qind në kundërshtim me Kushtetutën, në mënyrë automatike do ta rrëzonte qeverinë Kurthi 3 duke provokuar zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Të jemi gjallë deri atëherë!



