
Zgjedhjet lokale, test për fundin e mashtrimit politik
Shkruan: Hisen Berisha
Zgjedhjet lokale të këtij viti nuk janë vetëm garë komunale, janë testi i fundit për besimin qytetar ndaj një qeverie që ka degraduar çdo standard institucional në vend.
Në vend të programit, Albin Kurti po shpërndan nga 100 euro për studentë dhe “pako ushqimore” për familje në nevojë, në fund të vitit buxhetor, pa efekt real në jetën e tyre, por me qëllim të qartë elektoral.
Ky është abuzim me buxhetin e shtetit për të blerë votën elektorale, në një kohë kur qeveria nuk ka arritur as të implementojë buxhetin e këtij viti, as të planifikojë atë të vitit 2025.
Nuk ka pasur rishikim as riplanifikim buxhetor, asnjë investim i ri, vetëm shpenzime të planifikuara për propagandë e jo për zhvillim.
Këto zgjedhje do të jenë referendum që do bëj të ditut se a do të lejojnë qytetarët që buxheti i tyre të përdoret për të blerë vota, apo do t’i japin fund këtij mashtrimi politik.
Albin Kurti flet çdo ditë si opozitë e vetvetes, shpik armiq, inskenon kriza dhe flet për moral, ndërkohë që qeveria e tij ka dështuar në çdo fushë: ekonomi, drejtësi, siguri dhe zhvillim lokal. Prandaj deklaratat e tij janë veç retorikë për të fshehur dështimin.
Në vend që të forcojë institucionet përballë ndikimeve të huaja, Kurti po i përdor ndërhyrjet ruse dhe serbe në proceset tona zgjedhore si mjet politik për të frikësuar elektoratin dhe për të krijuar narrativën e rrezikut të jashtëm. Në vend që të garantojë transparencë dhe mbrojtje institucionale, ai përpiqet ta kthejë këtë çështje në instrument propagandistik për mobilizim elektoral. Kështu, siguria kombëtare po instrumentalizohet për përfitim politik partiak.
Në katër vite pushtet, qeveria Kurti nuk ka asnjë investim të ri mbi një milion euro të filluar e përfunduar gjatë mandatit të saj. Nuk ka përfunduar asnjë projekt të trashëguar nga qeveritë e kaluara. Kisha deklaruar në seancën e raportimit vjetor të Kryeministrit Kurti në Kuvend.
Që nga tetori i vitit 2019, janë shpenzuar mbi 13 miliardë euro, plus 3.6 miliardë të këtij viti, pa institucione funksionale, pa asnjë rezultat konkret.
Kjo është “qeveri kujdestare” që administron dështimin dhe e përdor propagandën për të mbuluar vjedhjen e buxhetit.
Për çdo 100 euro që ndan sot për studentët, Kurti fsheh 100 milionë që janë zhdukur pa gjurmë nga buxheti publik.
Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është faktor përcaktues për stabilitetin e Kosovës. Në fakt ragimi i SHBA-ve është busulla strategjike e Kosovës.
Ky qëndrim nuk është ndërhyrje, por kujtesë për rrugën që Kosova duhet të ndjekë: demokraci, sundim të ligjit dhe partneritet euroatlantik.
Kur Uashingtoni shpreh shqetësim për devijime demokratike, kjo nuk është politikë; është paralajmërim për të mbrojtur institucionet.
Fatkeqësisht, qeveria aktuale ka keqpërdorur edhe raportin me aleatët, duke tentuar ta përdorë patriotizmin si mburojë për paaftësinë e vet.
Por qytetarët e Kosovës e dinë se vetëm lidhja me SHBA-në është garancia e sigurisë dhe e së ardhmes sonë evropiane.
Kush tenton ta relativizojë raportin me SHBA-në, ky synim ta izolojë Kosovën për ta mbajtur peng në krizë.