
Zgjim Hyseni: Kurti po ia hapë derën koalicionit me PDK-në
Zgjim Hyseni nga PSD-ja ka komentuar deklarimet e mbrëmshme të kreut të LV-së Albin Kurti lidhur me ndryshimet e konceptit të partive politike në Kosovë.
“‘Koncepti i partisë është në krizë’, na tha Kurti mbrëmë. Ky na qenka diskutimi i ri që ia hapë derën koalicionit të mundshëm me Partinë Demokratike të Kosovës. Dikur thoshte se kur ne fitojmë edhe subjektet tjera ndryshojnë. Çfarë ka ndryshuar PDK? Asgjë. Thjesht Kurti rrezikon të mbetet vetëm”, ka shkruar Hyseni në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se ky është rast i mirë për t’u kthyer mbrapa dhe për shikuar se ku ka përfunduar LV-ja si subjekt.
“Shumë nga ish shokët që s’guxuan na thoshin se duhet të rrimë për ta bërë luftën brenda. Në vitin 2016 ka pasur debat e polemika mbi koalicionet. Atëbotë Kurti insistonte që PDK-së mos t’i viheshin vijat e kuqe. Pas diskutimeve është votuar dhe Këshilli ka vendosur ta përjashtojë një mundësi të tillë. Shiheni sot, asnjë fjalë. Jam i bindur që shumë nuk pajtohen me Kurtin, por të flasë nuk guxon askush”.
“LV-ja është formësuar e rritur përmes vlerësimeve politiko-ideologjike, pra strukturore. Kur dikush na thoshte se filani është njeri me virtyte, përgjigja jonë konstante ishte se rëndësi ka në kuadër të cilit projekt angazhohesh, dhe jo vlerësimi subjektiv e moral – njeri i mire ose i keq. Nëse analizojmë ideologjikisht, ky është fundi. Këto qëndrime na sjellin në përfundim se Kosova është kështu siç është nga vesi i hajnisë, dhe jo nga politikat ekonomike…”, ka shkruar Hyseni.
/Epoka e re/