
Zhegrova prezantohet te Juve: Rama më ndihmoi shumë, përfaqësoj të gjithë shqiptarët
Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Edon Zhegrova të enjten është prezantuar si lojtar i Juventusit. Anësori “dardan” për herë të parë ka folur si lojtar i “Zonjës së Vjetër”, pas transferimit të tij të shumëpritur në Torino. Zhegrova para mediave italiane dhe shqiptare, ka ndarë emocionet e tij për këtë hap të rëndësishëm në karrierë dhe duke treguar për mikpritjen që ka gjetur në ambientin e ri bardhezi.
“I jam shumë mirënjohës klubit për mirëseardhjen. Jam i lumtur dhe krenar që jam këtu. Këto ditë të para kanë qenë fantastike, të gjithë – stafi dhe shokët e skuadrës – më kanë pritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Padyshim një përshtypje shumë pozitive”, ka thënë Zhegrova me një buzëqeshje të sinqertë, duke e bërë të qartë se ndjehet tashmë si pjesë e një familjeje të madhe. Zgjedhja për t’u bashkuar me “Zonjën e Vjetër” nuk ishte rastësi për 25-vjeçarin, i cili tregoi se projekti sportiv dhe atmosfera brenda klubit ishin vendimtare për vendimin e tij.
“Projekti i Juves më bindi. E njihja David që më parë. Kjo është një skuadër me shumë cilësi dhe unë jam i bindur që mund të jap kontributin tim”, ka shtuar ai, duke nënvizuar se skuadra ka një bazë të fortë për të ndërtuar sukses në të gjitha garat. Zhegrova komentoi gjithashtu për gjendjen e tij fizike, pas një periudhe të vështirë për shkak të një dëmtimi që e mbajti jashtë fushave për disa javë. Ai siguroi tifozët e Juventusit se është në rrugën e duhur për rikuperim dhe është i motivuar për të dhënë maksimumin.
“Kam kaluar një periudhë të vështirë për shkak të dëmtimit, por tashmë kam filluar të stërvitem fort me stafin. Shumë shpejt do të jem gati 100%,” ka thënë Zhegrova me vendosmëri, duke lënë të kuptohet se debutimi i tij nuk do të vonojë shumë. Objektivat e tij me Juventusin janë ambicioze, siç i ka hije një klubi me histori të pasur dhe pritshmëri të larta.
“Ky ekip ka shumë cilësi. Synimi ynë është të fitojmë çdo ndeshje dhe të arrijmë sa më lart”, u shpreh Zhegrova, duke lënë të kuptohet se nuk do të kënaqet me pak.
Një moment interesant gjatë konferencës për shtyp ishte kur Zhegrova u pyet për pasaportën shqiptare dhe kontaktet me kryeministrin Edi Rama, i cili ka ndihmuar drejtpërdrejt në këtë proces. “Ai është një mbështetës i madh i Juventusit. Ishte shumë i kënaqur dhe i lumtur. Donte që të ma jepte pasaportën shqiptare ndaj dhe më ndihmoi shumë në këtë rast. I jam shumë mirënjohës. Më dha këtë pasaportë sepse unë përfaqësoj të gjithë komunitetin shqiptarë dhe jam shumë e rëndësishme dhe sigurisht që do t’i japë fanellën e parë”, ka deklaruar Zhegrova me mirënjohje për ndihmën që ka marrë. Me një kombinim të talentit, përkushtimit dhe vullnetit për të përfaqësuar jo vetëm veten por edhe një komunitet të tërë, Edon Zhegrova duket i gatshëm të shkëlqejë në fanellën bardhezi dhe të shkruajë një kapitull të ri të suksesshëm në karrierën e tij futbollistike.