
Zhvillime interesante në degën e VV-së në Mitrovicë: Mungesa e kandidatit për kryetar ka ulur interesimin për listën e asamblesë
Aplikimi për të kandiduar në listën për Asamblenë Komunale nga radhët e Vetëvendosjes në Mitrovicë deri tani është shumë i vogël – madje ende nuk ka arritur as në shifra dyshifrore.
Burime të “Jepi zë” brenda degës së VV-së në Mitrovicë kanë treguar se deri tani ka shumë pak të interesuar për t’i hyrë garës, dhe arsyet për këtë janë të ndryshme.
Sipas këtyre burimeve, mungesa e një kandidati për kryetar nga VV-ja ka zbehur ndjeshëm dëshirën e shumë figurave për të hyrë në garë dhe për të kërkuar votën e qytetarëve mitrovicas, pasi ndihen të parëndësishëm në mungesë të kandidatit të tyre për kryetar.
Gjithashtu, bëhet e ditur se brenda partisë është zhvilluar një garë për bartësin e listës, ku fillimisht kanë qenë gjashtë anëtarë në garë, por ky numër ka rënë ndjeshëm për shkak të mosinteresimit të tyre për të qenë pjesë e asamblesë.
Nga ana tjetër, dihet tashmë se edhe Guxo dhe Alternativa do të garojnë me listat e tyre. Kjo duket se ka ndikuar në uljen e mëtejshme të interesimit për të garuar në kuadër të VV-së, pasi pritet që kandidati për kryetar ta përqendrojë mbështetjen tek kandidatët e vet partisë së tij.