ZKA-ja evidenton shkelje në procesin e dhënies dhe menaxhimit të pronës publike në tetë komuna

04 shtator 2025 | 16:15

Për shkak të rëndësisë që ka menaxhimi i pronës publike dhe mangësive të identifikuara në auditimet e mëhershme financiare, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në kuadër të sezonit auditues 2024/2025 ka realizuar tetë auditime të pajtueshmërisë me temën “Dhënia në shfrytëzim dhe menaxhimi i pronave komunale të dhëna me qira”.

Auditimet janë zhvilluar në Komunën e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Podujevës, Suharekës, Fushë Kosovës dhe Vushtrrisë, duke mbuluar periudhën janar 2023 – dhjetor 2024.

Rezultatet e auditimeve tregojnë se shumica e komunave të audituara nuk kanë zbatuar plotësisht procedurat ligjore, kanë ndryshuar qëllimin e shfrytëzimit të pronave pa miratim, kanë lejuar shfrytëzim afatgjatë jashtë kufijve ligjor, nuk kanë zbatuar procedura formale për vazhdimin e kontratave, si dhe nuk kanë mbajtur dokumentacionin e nevojshëm dhe nuk kanë mbikëqyrur në mënyrë të rregullt shfrytëzuesit e pronave.

Në disa prej tyre auditimi ka evidentuar raste të përdorimit të pronave pa kontrata valide si dhe tejkalim të kushteve ligjore, gjë që ka dëmtuar të hyrat publike. Po ashtu, raportimi i pamjaftueshëm nga autoritetet ekzekutive ka kufizuar mbikëqyrjen dhe vendimmarrjen e Kuvendeve Komunale.

Konkluzioni i auditimit është se komunat e audituara nuk kanë vepruar në përputhje me kornizën ligjore në fuqi për dhënien në shfrytëzim të pronës se paluajtshme dhe menaxhimin e kontratave për qiradhënie. Dobësitë në proceset e qiradhënies, mungesa e kontrolleve të brendshme efektive dhe mos mbajtja e regjistrave të sakta kanë ndikuar në zvogëlim të të hyrave komunale, rrezikim të integritetit të pronës publike dhe shkelje të dispozitave ligjore.

Për të përmirësuar menaxhimin dhe mbikëqyrjen e pronës publike ZKA-ja ka dhënë 54 rekomandime.

Raportet e plota të auditimit të pajtueshmërisë i gjeni këtu: https://shorturl.at/Azd0U

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një sasi e konsiderueshme mbathjesh sportive për meshkuj është ndaluar…