ZKA-ja: Komunat duhet t’i kushtojnë vëmendje më të madhe menaxhimit të projekteve 

08 dhjetor 2021 | 13:14

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale SDC/DEMOS për vitin fiskal 2020”.

Granti është bashkëfinancuar nga Fondacioni Zviceran në Kosovë/Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave.

Qëllimi këtij auditimit ka qenë që të vlerësojë nëse shpenzimet dhe menaxhimi i projekteve kapitale të grantit të performancës komunale janë në harmoni me kërkesat e donatorëve dhe nëse kanë arritur rezultatet e synuara.

Subjekt i auditimit kanë qenë komunat: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Kllokot.

Auditimi ka konkluduar se komunat në përgjithësi kanë aplikuar rregullat në fuqi ndërsa granti i performancës komunale i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike.

Ai ishte në funksion të qëllimit për të ofruar shërbime më të mira të infrastrukturës komunale për qytetarët.

Megjithatë menaxhimi i projekteve dhe fondeve nga granti ka nevojë për vëmendje më të madhe duke filluar nga vendosja e prioriteteve, realizimi i projekteve dhe rezultatet e arritura.

Rezultatet e këtij auditimit tregojnë se procesi i prokurimit ende ka hapësirë për përmirësim në disa aspekte siç janë: përfshirja e projektit në planin e prokurimit publik, përllogaritja e përafërt e vlerës së parashikuar të kontratës, evidentimi i pozicioneve të ndryshuara dhe trajtim i drejtë i operatorëve ekonomik në proceset tenderuese.

Po ashtu gjysma e projekteve të audituara nuk ishin realizuar me kohë dhe nuk janë në shfrytëzim të plotë nga qytetarët. Arsyet për vonesa në realizimin e projekteve ndërlidhen me mos shpronësimet me kohë të pronave private dhe pengesat për shkak të zhvillimit të dy projekteve në kohë dhe zonë të njëjtë.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se granti i performancës komunale në përgjithësi i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike duke ju ofruar qytetarëve projekte në lokacione të favorshme dhe qasje të lehtë në shfrytëzimin e tyre.

Megjithatë mungesa e efikasitetit në realizimin e kontratave dhe mangësitë tjera të identifikuara zbehin rëndësinë e projekteve dhe pengojnë maksimizimin e përfitimit nga granti i përcaktuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar komunat e audituara që të forcojnë procesin e menaxhimit të projekteve nga granti i performancës komunale, duke filluar me planifikimin e duhur dhe me kohë të prokurimit deri te forcimi i kontrolleve për menaxhimin e kontratave duke siguruar realizimin e tyre sipas kushteve dhe specifikave të kontraktuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte Barcelona i shkon Bayern Munchen në kuadër të ndeshjes…