Zvarritjet e procesit politik nga Kurti, rrezik për Kosovën, përfitim për Serbinë
Shkruan: Hisen Berisha
Duke analizuar konstatimet që dolën nga diskutimet që u mbajtën në Komitetin për Politika të Jashtme të Kongresit Amerikan, vijmë në përfundimin se Albin Kurti po luan taktikën e Serbisë për të mos lejuar sa më gjatë krijimin e Qeverisë së Kosovës. Krijimi i qeverisë imediativisht do ta afronte Serbinë drejt njohjes së Kosovës si shtet. Pra, thënë thjesht, për momentin Albin Kurti është bërë heroi i shtetit të Serbisë.
Në vazhdën e kësaj, diskutimet sollën edhe një moment të rëndësishëm që e përforcon qartë konstatimin tim. Kongresmeni Self parashtroi një pyetje të mbyllur drejtuar tre ekspertëve të Komitetit: “A e shohin ekspertët e Departamentit të Shtetit kryeministrin Kurti si pengues?” Pyetja ishte e drejtpërdrejtë, pa hapësirë për interpretim, duke synuar një përgjigje të prerë dhe profesionale.
Përgjigjet e ekspertëve ishin unanime. Të tre u përgjigjën me “po”!
Një “po” e qartë, e prerë dhe pa asnjë hezitim.
Ky unanimitet, që reflekton vlerësimin profesional të administratës amerikane për zhvillimet në Kosovë, tregon se perceptimi institucional në Washington për Kurtin është ai i një aktori që po pengon proceset politike të domosdoshme.
Ky vlerësim i përbashkët nga ekspertët amerikanë shërben si konfirmim shtesë i analizës sime të mëhershme dhe deklarimeve të vazhdueshme se veprimet dhe kalkulimet politike të kryeministrit Kurti, me vetëdije ose jo, po prodhojnë pikërisht efektin që i konvenon vetëm Serbisë, pra, vonimin e krijimit të Qeverisë së re të Kosovës dhe zvarritjen e proceseve që e afrojnë imponueshëm Serbinë drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës.
Që në shkrimet e mia të mëhershme kam paralajmëruar se Kurti dhe Vuçiq funksionojnë në një model krize të koordinuar, secili duke mbijetuar politikisht përmes tensioneve që i krijojnë njëri-tjetrit. Ashtu siç Vuçiqi i ka krijuar “penaltitë” e tij për Kurtin, nga ndalimi i referendumit serb e deri te zhvillimet në veri, sot jemi në fazën kur Kurti, në mënyrë të heshtur, po ia kthen “shërbimin” duke penguar krijimin e Qeverisë sipas rezultatit të zgjedhjeve. Ky është ekuacioni i vërtetë politik që i shërben Beogradit, dhe që po i imponohet vendit si krizë e kontrolluar.
Zvarritja dhe mbajtja e status quo-së nuk janë thjesht pasoja të paqëllimshme! Ato janë interes i drejtpërdrejtë serb dhe rus. Për këtë rrezik nuk kemi folur vetëm ne në Prishtinë. Departamenti i Shtetit e ka tërhequr vërejtjen hapur se vonesat, pengesat dhe kalkulimet e brendshme të Qeverisë së Kosovës po krijojnë hapësirë që shfrytëzohet nga Beogradi dhe Moska për të dobësuar pozicionin e Kosovës. Kur paralajmërimi vjen nga aleati ynë strategjik, ai nuk është një vërejtje rutinë diplomatike është një alarm i qartë shtetëror se Kosova po humb terren për shkak të kursit të gabuar politik të kësaj qeverie.
Kjo situatë nuk është më çështje interpretimesh politike, por një alarm i qartë shtetëror. Kur vlerësimet nga institucioni më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane përputhen me realitetin që ne po e shohim në terren, atëherë bëhet e qartë se pengesa kryesore për ecjen e Kosovës përpara nuk vjen nga jashtë, por nga kryeministri i saj. Dhe ky është momenti kur secili prej nesh duhet ta thotë hapur se taktikat e zvarritjes nuk i shërbejnë Kosovës, as aleatëve tanë, por vetëm interesave të Beogradit. Përballë këtij realiteti, heshtja do të ishte bashkëpjesëmarrje. Prandaj, unë do të vazhdoj ta ngre zërin kundër këtij kursi politik antishtetëror.



