Apostolova: Ratifikimi i demarkacionit ndal vetizolimin e Kosovës

24 janar 2018 | 10:55

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalija Apostolova, u ka bërë thirrje edhe një herë deputetëve të Kosovës ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi.

Në një konferencë për medie, mbajtur të martën bashkë  me ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, në të cilën kanë prezantuar përparësitë e presidencës bullgare të Këshillit të Bashkimit Evropian, zyrtarja e BE-së ka thënë se demarkacioni duhet të ratifikohet si çështje e interesit nacional për ta ndalur vetizolimin e Kosovës.

“Marrëveshja për demarkacionin e kufirit duhet të ratifikohet si çështje e interesit nacional për ta ndalur vetizolimin e Kosovës dhe të ecim përtej interesave personale të disa qarqeve politike”, ka thënë Apostolova.

Ajo ka treguar se strategjia për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor që do të lansohet në shkurt, ndërsa prezantimi i raportit për Kosovën do të bëhet në muajin prill.

Sipas zyrtares së BE-së, aty Kosova ka mundësi ta demonstrojë përkushtimin për vlerat evropiane dhe t’ia prezantojë një imazh pozitiv pjesës tjetër të Evropës.

“Kosova duhet të shfrytëzojë këtë mundësi unike. Duhet ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Ky do të jetë një sinjal i vërtetë që Kuvendi po punon në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Apostolova.

Sa i përket iniciativës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ajo ka thënë se kjo nuk është mënyra e duhur se si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës. Ajo ka shprehur besimin që politikanët në Kosovë ta kuptojnë sa më herët se me këtë veprim janë duke bërë gabim.

“Një përpjekje për të anuluar një përkushtim ndërkombëtar nuk është mënyra për ta forcuar besimin e njerëzve në institucione. Shpresoj se politikanët do të kuptojnë këtë më herët, para se të jetë vonë. Nisma për t’i shfuqizuar Dhomat e Specializuara është nismë e gabuar dhe nuk është mënyra për ta bërë këtë. Shpresoj se politikanët të kuptojnë këtë më herët sesa më vonë. Dëshirojmë që Kosova t’ia dalë mbanë, për këtë arsye ne kemi dhënë 100 milionë euro për çdo vit për popullin e Kosovës”, ka deklaruar Apostolova.

Kurse ambasadori i Bullgarisë në Kosovë, Nedialtço Dantçev, ka bërë me dije se përparësi kryesore gjatë kohës sa presidenca bullgare do ta ketë kryesimin e BE-së do të jenë stabiliteti, siguria dhe solidariteti. “Për Bullgarinë si vend ballkanik, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme. Së pari është koha e duhur e fundit që t’ua kthejmë vëmendjen fqinjëve tanë. Në dekadën e kaluar Kosova ka pasur kriza të njëpasnjëshme dhe kjo ka nënkuptuar që ne është dashur të përqendrohemi në zgjidhjen e problemeve tona e jo të merremi me atë që kemi përreth. Shumica prej partnerëve tanë, në veçanti ata në Ballkanin Perëndimor, kanë humbur shpresat që perspektiva e tyre evropiane është reale”, ka thënë ambasadori Dantçev.

Sipas tij, duhet kërkuar zgjidhje kreative për të siguruar që vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara të bashkuara dhe për ta forcuar miqësinë. Dantçev ka thënë se shtetet anëtare do të punojnë së bashku që të ndajnë informacione në lidhje me sigurinë e qytetarëve të Bashkimit Evropian. “Do të përqendrohemi në tema që janë të rëndësishme për qytetarët, për krijimin e vendeve të punës, përmirësimin e jetesës në Evropë dhe të sigurohemi që kufijtë tanë janë të mbrojtur si dhe garantojmë që njerëzit tanë kanë shkathtësi digjitale që kërkon ekonomia digjitale”, ka thënë Dantçev.

Albulena S. MAVRAJ

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Skënder Minxhozi Ka kaluar pa zhurmë një fakt kurioz,…