>

IDEALI I FEMRËS SHQIPTARE PËR LIRI

16 dhjetor 21:11

Afërdita Dervishi

(Kumtesë në përvjetorin e 19 të rënies së Komandantit të Brigadës 113, Mujë Krasniqit dhe 41 dëshmorëve të kombit të kësaj brigade)

Në këtë akademi përkujtimore përkujtohen 41 dëshmorët e kombit bashkë me komandantin e tyre, Mujë Krasniqi, të rënë për liri më 14 dhjetor të vitit 1998, duke sjellë armët që i duheshin luftës për liri.
Motra e vëllezër, ju që besoni se liria erdhi vetëm me luftë dhe sakrificë, me vuajte të mëdha e me gjak, të jeni të bindur se ,ata, dëshmorët e brigadës 113 janë sot këtu, bashkë me ne, për të parë se ne nuk i paskemi harruar dhe për të parë nëse amanetin e tyre do t‘a qojmë në vend.
Në Akademitë përkujtimore, më së shumti flitet për prijësit, andaj, për sot kam vendosur që në kumtesën time të trajtojë një temë pak më ndryshe.

Përkufizimi

Lëvizja çlirimtare në Kosovë, e cila ishte cilësuar nga disa si lëvizje terroriste, njerëz fondamentalistë islamikë, dorë e zgjatur e shërbimit serb, njerëz të frustuar e faktorë destabilizues që prishnin harmoninë dhe vëllazërim bashkimin, madje edhe funksionimin e shtetit paralel, në gjirin e vet, pra kjo lëvizje çlirimtare mblodhi ata që lanë çdo gjë që kishin dhe rrokën armët e lirisë, në vend të kolltukut, zgjodhën tokën e lagësht, në vend të shtratit zgjodhën pritat në malet dhe në vend të rehatisë zgjodhën luftën.
Hija e rëndë e luftës, bora e ftohtë, terreni i vështirë në malet e thepisura nëpër të cilat ecnin 141 ushtarët e brigadës 113, ku kishte edhe ushtarë të plagosur, nga njëra anë e nga ana tjetër ishte ideali i lirisë, lufta për të drejtën historike, fuqia e mbrojtjes së atdheut dhe përgjegjësia e komandant Mujë Krasniqit, i cili me plagë në trup po udhëhiqte brigadën e tij për t’u kthyer në Kosovë bashkë me armët.
Në mesin e këtyre luftëtarëve të lirisë, tashti Dëshmorë të Kombit ishte edhe Dëshmorja e Kombit, Luljeta Shala.

Hyrje

Cilës nënë nuk i dhemb shpirti për djalin a vajzën e saj, kur e di se pjesa e shpirtit dhe trupit të saj duhet të marrë rrugët e botës për të siguruar armë për luftën? Cilës nuse, nuk i shkojnë lotët lumë, kur e përcjellë bashkëshortin në rrugën e gjatë të luftës kundër pushtuesit? Cilës motër nuk i këputet shpirti nga frika se mos pushtuesi ka ngritur kurthe kundër të vëllait, luftëtarit të lirisë? Asnjërës! Por, luftëtarët e lirisë, luftëtarët e brigadës 113 e kishin më të vlefshme lirinë se jetën e tyre.
Ndjenja për liri fiton fillimisht brenda vet njeriut dhe vetëm pastaj robi bëhet zot i fatit të vet dhe si zot i fatit të vet ia gjen kuptimin jetës edhe në sakrificën sublime për liri. Secili luftëtar i brigadës 113 ishte vullnetar i thjeshtë, i cili si çdo njeri, derdh lot kur i vritet shoku, ndjenë dhembje kur e përshkon plumbi, ligështohet por prapë vazhdon deri në flijim.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte filluar përgatitjet për beteja të reja. Në këto përgatitje ishte edhe nëna, ishin edhe nuset tona, ishin motrat tona luftëtare të lirisë. Në mesin e atyre që po sillnin armët e lirisë ishte edhe Luljeta Shala, luftëtare e lirisë e cila besonte se liria e atdheut bëhet vetëm me armë.

Shkolla e jetës në robëri dhe ideali i lirisë

Dëshmorja e Kombit, e Brigadës 113, Luljeta Shala në jetën e saj të njomë kishte pasur ku ta mësonte idealin e lirisë dhe e kishte gjetur kuptimin e flijimit për atdhe. Ajo kishte dëgjuar për trimërinë e Shotë Galicës, që kishte thyer prangat e paragjykimeve të kohës, se gruaja është për të bërë fëmijë e për të gatuar, por jo për luftë.
Ajo kishte dëgjuar si i kishte rritur dhe edukuar djemtë dhe vajzat, nipat dhe mbesat, nënë Zahidja, nëna e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Dëshmorja e kombit kishte mësuar gjithë sakrificën e madhe që kishte bërë heroina Aze Brahimaj, nëna e cila kishte pritur e përcjellë nga konaku i saj gjithë ata luftëtarë të lirisë, së bashku me djemtë e saj, së bashku me anëtarët e tjerë të familjes.
Kjo shkollë e madhe e jetës së Dëshmores së Kombit Luljeta Shala, si e të gjitha Dëshmoreve të Kombit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin edhe prijëset e tyre shpirtërore në luftën për liri. Ajo i besonte dashurisë së madhe për atdhe të Xhevë Krasniqit-Lladrovci, sepse i besonte gatishmërisë së saj që të sakrifikonte rininë, nusërinë, largimin nga atdheu, vetëm që të bëhej pjesë e luftës çlirimtare.
Duke qenë pjesë e lirisë, luftëtaret femra krahas luftës për lirinë e atdheut, luftuan psikologjinë e robit, prandaj ato meritojnë nderimin e fismë.
Mësimet e mëdha që kishin marrë nga historia, qoftë në familjet e tyre, qoftë nga librat e pakët shkollor, kur mësonin për sakrificën e mbretëreshës së Ilirisë, Teutës, për luftën e saj kundër robërisë romake, ishte një ideal që ia mbante shpirtin gjallë secilës luftëtare të UÇK-së. Ato kishin mësuar për luftën e Tringë Smajlit, e të Norës së Kelmendit, e cila vret Vuçi Pashën, natën e martesës, kur mbron nderin e saj dhe të familjes me të vetëm armë që i kishte qëlluar-sëpatën.
Këto dhe mësime të tjera të historisë së lavidisë, Dëshmorja e Kombit, Luljeta Shala dhe dëshmoret tjera të kombit, të rëna në të gjitha anët e tokave të pushtuara shqiptare, e bënë realitet historik gatishmërinë e sakrificës së tyre për liri dhe çlirim kombëtar, krah për krah me vëllezërit, burrat e shokët e idealit.

Rrugëtimi i gjatë i Brigadës 113 dhe i Dëshmores Luljeta Shala

Një grup i madh i luftëtarëve të lirisë, më shumë se 141 luftëtarë, në mesin e të cilëve edhe të plagosur, siç ishte i plagosur edhe Komandanti Mujë Krasniqi ishin nisur nga toka mëmë, me 13 dhjetor 1998 të sillnin armët e lirisë në frontet e luftës në Kosovë.
Komandanti Mujë Krasniqi, me plagë në trup, nuk kishte pranuar të qëndronte më gjatë për shërim, sepse nuk donte të qëndronte larg luftës e larg luftëtarëve te vet. Ai po u jepte zemër luftëtarëve, se liria e atdheut është mbi të gjitha.
Luftëtarja e lirisë, Luljeta Shala, e ngarkuar me armë, si të gjithë të tjerët ecte e heshtur Bjeshkëve të Shkëlzenit dhe, ndoshta askush nuk e dinte se çka bluante koka e saj, se cilat shkëndija ndrinin shpirtin e saj.
Ishte dimër i vështirë. Bjeshkët ishin të mbuluara me borë. Nata ishte e errët. Kur po vinte dita tjetër, dita e 14 dhjetorit të vitit 1998, vëzhguesit e këtij grupi të madh të luftëtarëve, kishin rënë në pritë në vendin e quajtur “Te Likenet e Hasit” në Gorozhup të Pashtrikut.
Ata, luftëtarët e brigadës 113 bashkë me komandantin e tyre, i cili nuk ishte nga ata komandantë që ndjekin fatin e betejës nga vendstrehimi, por ishte në ballë të brigadës, qëndruan heroikisht, sado që ishte një luftë e pabarabartë.
Të gjithë ata u sakrifikuan për lirinë tone. Në mesin e tyre, afër Komandantit që kishte marrë këtë rrugë, ishte edhe dëshmorja e kombit, Luljeta Shala. Në altarin e lirisë shpirti i saj, është bashkë me shpirtin e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, Antigona A Fazliut, Rukije Nebihit, Hida Hotit, Emsale Frangut, Mukadeze Likes, nënë e pesë fëmijeve, e plotë dëshmore të tjera.

Përfundim

Në këto kohë të trishta, ka edhe të atillë që thonë se unë shkruaj për të vdekurit, pasi ata nuk e kthejnë fjalën… Por, unë, ndjehem shumë e nderuar, ndjehem se po jetoj kur shkruaj për ata që na dhanë fytyrë njeriu, që na bënë të mundur të marrim frymë shqip, për ata që lëvizën proceset historike nga myku e nga harresa.
Brezi i atyre që përgatitën luftën, brezi i LPK-së që e filloi luftën është brezi i rrallë në kalendarin politik të Kosovës. Këtij brezi veprimtarësh iu bashkuan bijtë dhe bijat më të mirë të kombit shqiptar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. U bashkuan ata, që ndjenin idealin e lirisë, prandaj fenomenin e qëndresës, të luftëtarëve dhe të komandantit të brigadës 113 Mujë Krasniqi, duhet trajtuar në mënyrë vertikale, për të gjetur ndërlidhjen mes epokave historike të zhvillimit deri te lufta dhe flijimi për liri. Këtë të drejtë e kanë vetëm ata të gjallë që kanë hise në rrugën e bërjes së lirisë dhe jo kushdo që e ka parë sakrificën e luftën nga lartë.
Askush s’ka të drejtë që me meritat e tyre të shpërndajë lavdi edhe atje ku nuk ka pasur lavdi ngase ata nuk ishin aty kur thirri zëri historik i atdheut, ata nuk ishin aty ku derdhej gjaku për liri.
Lavdi komandantit Mujë Krasniqi dhe dëshmorëve të tjerë të rënë heroikisht në mëngjesin e acartë të 14 dhjetorit të vitit 1998!
Lavdi të 178 Dëshmorëve të Kombit të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”!
Prishtinë, më 14. 12. 2017

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran…