Kërkesat e minatorëve për çështjen sociale nuk mund të hyjnë në statutin e Trepçës

11 korrik 2018 | 15:24

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka bërë me dije se kërkesat e minatorëve që çështjet sociale të hyjnë në statutin e Trepçës, si pensionimi të bëhet në moshën 50 ose 55-vjeçare dhe të marrin 70 për qind të pagës janë të pamundura.

Sipas tij, kjo çështje duhet të zgjidhet me ligj të veçantë.

Lluka në një prononcim për gazetën “Epoka e re” disa nga kërkesat e minatorëve i ka quajtur valide, por sipas tij çështjet sociale duhet të zgjidhen me ligj si për Trepçën ashtu dhe për të gjitha ndërmarrjet publike.

“Sindikata ka disa kërkesa. Një pjesë e kërkesave të tyre është valide, si ajo e futjes së aseteve që janë shumë më rëndësi në statut të Trepçës. Megjithatë, një gjë të tillë e ka trajtuar komisioni parlamentar dhe besoj se shumë shpejtë shumica e asteve dhe vendburimeve janë të inkuadruara në statut. Kërkesë tjetër ka qenë edhe dhënia e benefiteve, pra zgjidhja e çështjeve sociale të minatorëve. Kërkesa e tyre është që minatorët të dalin në pension diku në moshën 50-55 vjeçare dhe të marrin pensionin e 70 për qind të pagës. Çështjet sociale për të gjitha ndërmarrjet duhet të rregullohen me ligj. Problemi është se në asnjë vend në botë nuk hyjnë çështjet sociale në statutin e ndërmarrjeve ”, është shprehur Lluka.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot është hedhur shorti për kualifikimet në Ligën e Kampionëve…