Policia regjionale e Gjakovës ofron përkrahje për sigurinë në Malishevë

29 janar 2018 | 14:42

Nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka pritur të hënën në takim drejtorin e policisë regjionale të Gjakovës, Ahmet Hasi, dhe shefin e operatives të regjionit, Gëzim Zogaj në bashkëshoqërim të komandantit të stacionit policor në Malishevë, Halil Morina.

Në këtë takim, Berisha e ka njoftuar drejtorin policor të regjionit të Gjakovës me zhvillimet e reja komunale dhe për bashkëpunimin e dyanshëm në të ardhmen.

Drejtori i policisë regjionale të Gjakovës, Ahmet Hasi, ka thënë se do ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen me strukturat udhëheqëse të komunës së Malishevës, në veçanti në fushën e sigurisë. “Do t’i bashkërendojmë aktivitetet me institucionet komunale, stacionin policor në Malishevë, institucionet shkollore dhe komunitetin qytetar, që t’u ofrojmë ligjërata në vetëdijesimin e luftimit të fenomeneve negative me të cilat po përballet shoqëria jonë”, ka thënë Hasi.

Për këtë bashkëpunim, nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka shprehur mbështetjen e plotë të organeve komunale në bashkërendim të aktiviteteve të sigurisë lokale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka pritur në…