Suedia konfirmon përkrahjen që ta ndihmojë Kosovën me projekte të ndryshme

14 shkurt 2018 | 12:08

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punën e ambasadorit të Mbretërisë së Suedisë për Kosovën, Anders Wollter, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në fushën e financave dhe regjistrimit të pronave.

Me këtë rast, ministri Hamza ka falënderuar Anders Wollter për ndihmën dhe  kontributin e tij dhe të shtetit suedez që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për institucionet e Kosovës, për projekte që financohen nga shteti suedez, në veçanti për projektin “Protax2” që është në kuadër të Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave.

Po ashtu ministri Hamza ka njoftuar ambasadorin suedez edhe me procesin e përfundimit të miratimit të Ligjit të ri të tatimit në pronë nga Kuvendi i Kosovës si dhe për fillimin e përgatitjeve të udhëzimeve administrative që derivojnë nga Ligji për falje.

Ndërsa, i ngarkuari me punën e ambasadorit të Mbretërisë së Suedisë për Kosovën, Anders Wollter, e ka falënderuar ministrin Hamza për pritjen dhe ka shprehur gatishmërinë e shtetit të tij për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën.

Ai gjithashtu e ka njoftuar ministrin Hamza se shteti suedez ka marrë vendim  për nënshkrimin e marrëveshjes që përmes SIDA-s dhe Agjencionit të Taksave të Suedisë të vazhdojë projektin për Kosovën “Protax2” deri në vitin 2020, e cila marrëveshje pritet të nënshkruhet së shpejti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Italia fiton medaljet e para në Lojërat Olimpike Dimërore të…