​Vetëm 26 pacientë me dializë u vaksinuan tek salla ‘1 Tetori’

15 prill 2021 | 14:22

Të mërkurën ka nisur vaksinimi i personave me dializë në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku deri të enjten pasdite dozën e parë të vaksinës “AstraZeneca” e kanë marrë 26 persona.

Në të njëjtën kohë në Kosovë është duke vazhduar edhe vaksinimi i personave mbi moshën 80-vjeçare, ku koordinator i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi, ka bërë me dije se deri më tani janë vaksinuar 1 334 persona, përfshirë edhe ata me dializë.

Bardhi ka thënë se qytetarët që janë duke vaksinuar nuk kanë pasur ndonjë shqetësim pasi kanë marrë vaksinën.

“Edhe sot kemi vazhduar me vaksinimin e tri kategorive tek pacientët me dializë, tek grupmoshat që janë mbi 80 vjeç dhe për profesionistët shëndetësorë. Aktualisht deri në këto çaste (ora 12:00) që ne flasim janë të vaksinuar gjithsej 38 persona, ku prej tyre 14 janë pacientë me dializë, ndërsa pjesë janë mbi moshën 80-vjeçare dhe profesionistë shëndetësorë. Nëse i referohemi numrit total nga kjo periudhë kur kemi filluar aktualisht i kemi 1 334 të vaksinuar flasim për moshën mbi 80-vjeç përfshirë tani dhe kategorinë me personat me dializë. […] Aktualisht deri më tani persona me dializë të vaksinuar janë 26, dje dhe sot. Fatbardhësisht deri në këtë moment çdo gjë ka shkuar mirë “, ka thënë ai.

Bardhi ka njoftuar se 105 banorë dhe personel mjekësor në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë tashmë kanë marr dozën e parë të vaksinës “AstraZeneca”.

Ndërsa Ramadan Seferaj pasi e ka marrë vaksinën ka thënë se po ndjehet mirë, duke shtuar se është regjistruar një javë më herët për tu vaksinuar në aplikacionin “E-Kosova”.

Dozën e parë të vaksinës “AstraZeneca” të enjten e ka marrë edhe Istref Tahiri, i cili është afër të 80-tave. Ai ka thënë e nuk ka hezituar të vaksinohet, madje theksuar se secili duhet ta marrë vaksinën.

Nëpërmjet një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se nga 16 deri më 18 prill në Prishtinë dhe në të gjitha komunat, do të fillojë vaksinimi i personave të moshës 75-79 vjeç me sëmundje kronike, sipas listës së diagnozave të pacientëve me sëmundje kronike, të dëshmuar me raport mjekësor me rastin e paraqitjes për vaksinim. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tyson Fury ka thënë se lufta e shumëpritur mes tij…