1 500 euro për familjet që kanë humbur familjarin nga Covidi, ja si mund të aplikoni

28 shtator 2021 | 16:17

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka njoftuar se ministri Hekuran Murati ka nënshkruar vendimin për mbështetjen e familjeve që kanë humbur familjarët nga Covidi.

Sipas njoftimit të MFPT-së, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me Covid-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1 500 euro.

“Sidoqoftë, duke konsideruar që stafi mjekësor në sektorin publik ka bartur barrën kryesore në ruajtjen e shëndetit publik, dhe gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga virusi Covid-19, familjet e tyre do të kenë një mbështetje të veçantë”, ka njoftuar MFPT-ja.

Kjo ministri ka njoftuar se aplikimi mund të bëhet në mënyrë elektronike, në vegëzën: https://masa3-1.rks-gov.net, dhe do të jetë i hapur deri më 30 nëntor 2021.

MFPT-ja ka bërë me dije se aplikacionet do të trajtohen në baza javore, sipas radhës së aplikimit.

“Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë: certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit”, ka njoftuar MFPT-ja.

Njoftimi i plotë i MFPT-së:

Fillon mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin nga Covid-19

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar sot vendimin për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e masës 3.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetja për familjet që kanë humbur familjarin nga Covid-19.

Në linjë me politikat që synojnë lehtësimin e pasojave të pandemisë Covid-19, kjo masë synon mbështetjen financiare të familjeve që kanë humbur familjarin e tyre si rezultat i infektimit me Covid-19. Kjo bëhet në përpjekje për të zbutur vështirësitë financiare me të cilat këto familje mund të përballen.

Në zbatim të masës 3.1, secilës familje që ka humbur familjarin si pasojë e infektimit me Covid-19 do t’i ofrohet mbështetje financiare në vlerë prej 1 500 euro. Sidoqoftë, duke konsideruar që stafi mjekësor në sektorin publik ka bartur barrën kryesore në ruajtjen e shëndetit publik, dhe gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kanë qenë drejtpërdrejtë të rrezikuar nga virusi Covid-19, familjet e tyre do të kenë një mbështetje të veçantë.

Aplikimi për masën 3.1 dhe do të bëhet në mënyrë elektronike, në vegëzën në vijim https://masa3-1.rks-gov.net , dhe do të jetë i hapur deri më datë 30 Nëntor 2021. Aplikimet trajtohen në baza javore, sipas radhës së aplikimit.

Dokumentet e nevojshme për aplikimin elektronik janë: certifikata e regjistrit civil përmes së cilës vërtetohet lidhja familjare e aplikuesit me të vdekurin dhe kopja/fotografia e faqes së pasme të letërnjoftimit të aplikuesit.

Vlen të theksohet që pas datës 1 Tetor 2021, ata që humbin familjarin nga infektimi me Covid -19 mund të përfitojnë mbështetje nga masa 3.1, vetëm nëse familjari i vdekur ka qenë i vaksinuar me të dy dozat e vaksinës kundër Covid-19.

Pakoja e Ringjalljes Ekonomike, e shpalosur nga Ministria e Financave, Punёs dhe Transfereve, synon krijimin e një shoqërie të barabartë dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve. Prandaj, operacionalizimi i masës 3.1 është i rëndësisë së lartë për t’u solidarizuar me familjet që kanë humbur familjaret nga virusi Covid-19, duke ua lehtësuar sado pak barrën financiare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ajo mori vëmendjen e të gjithëve ende pa nisur programi…