1 640 raste të reja me kancer gjatë këtij viti, mosha më e prekur ndërmjet 50-60 vjeç
Është rritur dukshëm numri i të prekurve nga kanceri në Kosovë.
Në nëntëmujorin e këtij viti janë regjistruar mbi 1 mijë raste të reja të kancerit, kryesisht kancer i gjirit dhe mushkërive.
Kështu ka bërë të ditur për “Front Online” drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi.
“Gjatë nëntë mujorit të këtij viti, në regjistrin klinik të Klinikes së Onkologjisë janë regjistruar rreth 1640 raste të reja me kancer, numër pothuajse i njëjtë me vitin 2024. Dominimi vërehet te kanceri i gjirit tek femrat dhe ai i mushkërive dhe kolorektali tek meshkujt”, u shpreh Kurtishi.
Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tregoi se mosha më e prekur është ajo ndërmjet 50-60 vjeç.
“Grupmoshat më të prekura janë ato 50–60 vjeç, edhe pse ka tendencë të rritjes së rasteve të reja të grupmoshat nga 40-50 vjeç si të femrat edhe tek meshkujt”, potencoi Kurtishi.
Për vitin 2025, një rast është referuar për jashtë vendit.
“Për nëntëmujorin e këtij viti një referim ka qenë për trajtim jashtë vendit”, ka thënë Kurtishi.



