1 vit në Shtëpinë e Bardhë, Trump: Arrestuam 10 mijë emigrantë pa dokumenta

20 janar 2026 | 21:56

Presidenti amerikan Donald Trump shënoi sot një vit nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, duke u përqendruar kryesisht në ato, që ai i quajti arritje të mëdha gjatë vitit të parë të mandatit të tij të dytë. Para se të fillonte fjalimin, stafi i tij shpërndau një listë me “365 fitore në 365 ditë”, ku përfshihen politikat e emigracionit deri tek zgjerimi i mundësive për emigracion në Shtetet e Bashkuara.

Në fjalimin e tij, Trump foli kryesisht për politikat e emigracionit, duke theksuar se në Minnesota janë ndaluar rreth 10 000 persona pa dokumente, të cilët ai i përshkroi si “kriminelë dhe emigrantë ilegalë”. Ai tregoi edhe foto të personave të ndaluar për të ilustruar angazhimin e administratës së tij për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Kjo ishte një nga pikat kryesore të fjalimit, ndërsa presidenti u duk më i qetë dhe më pak ‘bombastik’ se zakonisht.

Trump gjithashtu përmendi shkurtimisht çështjen e Venezuelës dhe lavdëroi María Corina Machado-n, udhëheqësen e opozitës atje, e cila i ka dhuruar medaljen e Nobelit të Paqes gjatë vizitës së saj në Shtëpinë e Bardhë. Mirëpo, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk e mbështeti drejtpërdrejt për postin e presidentes, duke theksuar se Machado nuk ka mbështetje të mjaftueshme brenda vendit. Kjo vjen pas arrestimit dhe largimit nga pushteti të presidentit Nicolás Maduro në janar, në një operacion që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Një pjesë tjetër e fjalimit të Trump lidhej me takimet ndërkombëtare dhe vizitën e tij në Davos, Zvicër, ku ai pritet të diskutojë çështje të rëndësishme me liderët evropianë dhe të theksojë planet e tij për tarifat tregtare, veçanërisht në lidhje me Groenlandën. Ai tha me humor se po shkon në një “vend të bukur në Zvicër” dhe shtoi: “Jam i sigurt që do të më presin me kënaqësi”, duke nxitur të qeshura në sallë.

Ndërkohë, liderët evropianë reaguan ndaj qëndrimeve të Trump. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se bota po lëviz drejt një “bote pa rregulla”, ku normat ndërkombëtare dhe ligjet nuk respektohen dhe fuqia e më të fortit vendos gjithçka. Macron e lidhi këtë paralajmërim me rritjen e tensioneve ndërkombëtare dhe përdorimin e tarifave të njëanshme si mjet presioni. Ai theksoi se Evropa nuk do t’i dorëzohet presionit dhe do të mbrojë ligjin dhe normat ndërkombëtare.

Kjo përputhet edhe me deklaratat e kryeministrit kanadez Mark Carney dhe liderëve të tjerë evropianë, të cilët kanë shprehur kundërshtimin e tyre të fortë ndaj tarifave të mundshme, që SHBA mund të vendosë, në rast se nuk pranohet diskutimi për Groenlandën. Shumë analistë e kanë quajtur këtë situatë si një tension të ri midis SHBA-ve dhe aleatëve tradicionalë në Evropë, ku politika e njëanshme dhe kërcënimet tregtare po sfidojnë normat diplomatike të dekadave të fundit.

Përveç emigracionit dhe politikës ndërkombëtare, Trump ka shfrytëzuar këtë njëvjetor për të përmendur performancën ekonomike të vendit, duke e cilësuar ekonominë amerikane si më të fuqishmen në botë dhe duke folur për të ardhurat që shteti ka siguruar nga tarifat tregtare mbi mallrat e importuara. Megjithatë, shumë qytetarë akuzojnë administratën e tij për rritjen e kostos së jetesës, duke e bërë një temë të ndjeshme brenda vendit.

Në fund, fjalimi i Trump u përqendrua tek plani i tij për të ardhmen, duke treguar ambiciet e administratës për të vazhduar politikat e tij të emigracionit dhe të tregtisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me kritika dhe shqetësime nga aleatët ndërkombëtarë dhe nga brenda vendit. Ndërsa viti i parë i pushtetit ka kaluar me zhvillime dramatike në Shtëpinë e Bardhë, vëmendja e botës mbetet tek ajo se çfarë do të bëjë Trump më tej, veçanërisht në çështjet e Groenlandës dhe marrëdhënieve me Evropën.

Trump foli edhe për NATO-n. Ai u shpreh se Aleanca Veri-Atlantike nuk do të ishte asgjë pa të. Sipas Trump, asnjë president apo një tjetër person, nuk ka bërë më shumë se ai për NATO-n. “Nëse unë nuk do të isha angazhuar, Aleanca Ushtarake do të ishte në hirin e historisë”, deklaroi numri një i Shtëpisë së Bardhe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se ka vdekur…