
10 vjet nga ngjarjet në Kumanovë, Rexhaj: E vërteta të dalë në shesh, drejtësi për qytetarët e Kosovës që po mbahen në burg
Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, ka thënë se e vërteta e ngjarjeve të vitit 2015 në Lagjen e Trimave në Kumanovë duhet të dalë në shesh.
Ai ka thënë se kërkon drejtësi për shtetasit e Kosovës që janë në burg në Maqedoninë e Veriut.
“Sot është dhjetëvjetori i ngjarjeve ne Lagjen e Trimave në Kumanove. E vërteta e kësaj ngjarjeje duhet te dale ne shesh. Unë vazhdoj të kërkoj drejtësi për qytetarët e Kosovës që po mbahen në burg”, ka thënë ai.
Në rastin e Kumanovës është i përshirë një grup nga Kosova, i cili gjatë 9 dhe 10 majit të vitit 2015, në Lagjen e Trimave në Kumanovë, u përlesh me forcat e policisë së Maqedonisë. Përleshjet përfunduan me vrasjen e 8 policëve dhe 10 pjesëtarëve të grupit të armatosur.
Gjykata Themelore e Shkupit më 2017 ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015.
Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 me burg të përjetshëm. Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burgim. Përderisa 6 prej 37 të akuzuarve janë dënuar me nga 20 vjet burgim.
Kurse të akuzuarit e tjerët janë dënuar me nga 18 vjet e më poshtë.
Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogariten si organizatorë të ngjarjeve në Lagjen e Trimave në Kumanovë, siç shkruan “Radio Evropa e Lirë” më 2017.