100 kadetë të rinj i shtohen Shërbimit Korrektues të Kosovës

10 mars 2026 | 14:58

100 kadetë të rinj korrektues e gardianë i janë shtuar Shërbimit Korrektues të Kosovës. Kështu ka njoftuar ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës është një hallkë thelbësore e sistemit të drejtësisë, që garanton zbatimin e ligjit dhe trajtimin me dinjitet të personave të privuar nga liria.

“Përmes këtij institucioni, drejtësia nuk përfundon me vendimin e gjykatës, por vazhdon me zbatimin e ligjit në praktikë, duke siguruar rend, përgjegjësi dhe respekt për dinjitetin njerëzor të çdo personi, si parime themelore bazë. Që sot, këtij shërbimi i shtohen edhe 100 kadetë të rinj korrektues, të cilët sjellin energji të re dhe përgjegjësi të madhe në një profesion që kërkon disiplinë, integritet dhe vetëkontroll çdo ditë. Ata do të jenë në vijën e parë të garantimit të sigurisë në institucionet korrektuese dhe të zbatimit të ligjit. Roli i tyre shkon përtej ruajtjes së rendit. Çdo ditë ata do të përballen me njerëz që kanë bërë gabime dhe që po përballen me pasojat e tyre. Profesionalizmi, korrektësia dhe mënyra se si zbatohet ligji në këto institucione ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë që ata persona një ditë të rikthehen në shoqëri si qytetarë më të përgjegjshëm të këtij vendi”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka bërë me dije se në muajt në vijim, kadetët e rinj do të ndjekin një trajnim gjashtëmujor profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike. “Ky program i specializuar do t’i pajisë ata me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për përballimin e sfidave të përditshme të këtij profesioni, dhe për përgjegjësinë që bart shërbimi në institucionet korrektuese”, është shprehur ajo.

Ministrja e Drejtësisë ka thënë se Republika e Kosovës në vazhdimësi ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, gjë që dëshmohet edhe në raportet dhe vlerësimet e Këshillit të Evropës dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë që monitorojnë trajtimin e personave të privuar nga liria, dhe, sipas saj, ky progres do të vazhdojë përmes forcimit të mëtejmë të institucioneve që garantojnë zbatimin e ligjit dhe funksionimin e drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-mesfushori i Interit, Real Madridit dhe Ajaxit, Wesley Sneijder, është…