
Istogu e fiton finalen e parë
Istogu e ka fituar ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Në një ndeshje interesante, të zhvilluar të mërkurën mbrëma në Banjë, Istogu e mposhti Samadrexhën me rezultat 27:24.
Tani Istogut i duhet vetëm edhe një fitore për ta mbrojtur titullin e kampionit.
Ndeshja e dytë është në Samadrexhë të shtunën, ndërsa ndeshja e tretë eventuale sërish do të luhet në Banjë.
Ndeshja ishte e fortë, por istogaset ishin kryesisht në epërsi. Pas pjesës së parë rezultati ishte 14:12 në të mirë të Istogut. Në pjesën e parë Istogu ishte shkëputur deri në tri gola.
Në pjesën e dytë samadrexhaset u afruan në 22:21 në minutën e 51-të. Por pasoi një fazë e mirë e lojës së Istogut që bëri shkëputje vendimtare.
Portierja Houyem Nassraoui u dallua tek Istogu me shumë pritje. Suzana Ujkiq i shënoi shtatë gola, derisa nga gjashtë i kishin Lana Paviçeviq e Paulo Sebastiao Sucacuexe.
Jennifer Toledo shkëlqeu te Samadrexha me 11 gola. Nga katër i shënuan Mirjeta Dinolli e Tina Hetemi.