‘11 muaj pa e parë babain’, djali i Fadil Fazliut thotë se ende nuk i lejohet të takohet me të
Prej gati një vit, Fahri Fazliu ka thënë se nuk i lejohet as të takojë dhe as të komunikojë me babain e tij, ish-ushtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë nën akuzat për pengim të drejtësisë.
Në një intervistë në “Klan Kosova”, Fahriu ka treguar se në dhjetor të vitit të kaluar, bashkë me nënën, motrën dhe vëllain, kishte kërkuar leje për ta vizituar babain, por kërkesa iu refuzua nga Dhomat e Specializuara pa ndonjë arsye konkrete.
“Më 5 nëntor do të bëhen 11 muaj që më është ndaluar të shoh babanë tim. Më është ndaluar pa asnjë arsyetim dhe tashmë janë 11 muaj që nuk e shoh dhe as nuk mund të flas me të. Vetëm kur e thirr nana në telefon mund të bisedoj me të, por nuk më është lejuar as komunikimi përmes kamerës. Mendoj se kjo është një padrejtësi e madhe që është bërë ndaj meje dhe ndjej se po cenohen të drejtat e mia si njeri”, ka thënë Fazliu.



