12 VJET SHTET

17 shkurt 2020 | 08:29

Dymbëdhjetë vjet më parë, më 17 shkurt 2008, në mesditë, Kosova shpalli pavarësinë, dhe u njoh shumë shpejtë nga disa prej shteteve më të fuqishme të botës, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar agjendën për festimin e 12-vjetorit të shtetësisë.

Nën organizimin e Qeverisë, në orën 8:00 do të bëhet ngritja e flamurit në oborrin e Qeverisë, ku të pranishëm do të jenë dy udhëheqësit shtetërorë (Albin Kurti dhe Vjosa Osmani) dhe komandanti i FSK-së.

Derisa garda ceremoniale do të bëjë ngritjen e flamurit, intonohet himni nga bendi i FSK-së.

Pas kësaj në orën 09:10, dy udhëheqësit shtetërorë do të bëhet vendosje kurorash te kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, si dhe do të vendosen kurora lulesh te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke filluar nga ora 10:30, dhe nga ora 10:40 te varri i veprimtarit Adem Demaçi, te varrezat në Velani.

Në ora 11:00 mbahet seanca solemne në Kuvendin e Kosovës, nën kujdesin e Vjosa Osmanit, kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Të pranishëm janë dy udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjeve Jashari e Rugova, deputetë dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendorë.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, do të bëjnë një vizitë në Forcën e Sigurisë se Kosovës, duke filluar nga ora 12:00, ku do t’iu drejtohen me një fjalë rasti trupave të FSK-së.

E gjatë ditës, konkretisht në orën 13:00, është paraparë të bëhet prezantimi i Obeliskut NEWBORN me pamje të re, ku do të paraqesë simbolin e përkrahjes dhe fuqizimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, e ku do të marrë pjesë kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani.

Në mbrëmje duke filluar nga ora 18:00, në katedralen “Shën Nëna Terezë”, do të organizohet pritja shtetërore me rastin e 12-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë se Kosovës nën kujdesin e presidentit Hashim Thaçi, ku të pranishëm pritet të jenë udhëheqës të lartë shtetërorë, të ftuar vendorë dhe ndërkombëtarë.

Gjithashtu, edhe komunat kanë paraparë disa aktivitete për 12-vjetorin e pavarësisë.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri më tash, sipas faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, atë e kanë njohur 116 vende.

Presidenti Hashim Thaçi ka marrë urime të shumta nga liderë botërorë.

Në telegrammi e urimit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, thuhet se se populli amerikan i bashkohet urimeve të Presidentit Trump për popullin e Kosovës në përvjetorin e 12 të pavarësisë.

“Populli i Amerikës së bashku me mua i urojnë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Lidhjet e fuqishme ndërmjet Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët për bërjen e Kosovës shtet sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik”, thuhet në telegramin e presidentit Trump.

Ai ka përgëzuar Kosovën për zgjedhjet demokratike në muajin tetor, duke mirëpritur angazhimin e vazhdueshëm për të quar përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ju dëshirojmë sukses në vitet e ardhshme, në fokusimin tuaj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në forcimin e sundimit të ligjit si dhe në krijimin e kushteve për zhvillim sa më vibrant të sektorit privat”, thuhet më tej në këtë telegram urimi.

Presidenti Trump në fund shkruan se e ardhmja e Republikës së Kosovës do të jetë e ndritshme.

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale të mbështetura në punën e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për vlerat tona të përbashkëta”, ka shkruar ai.

Analistët: Edhe në 12-vjetorin e pavarësisë Kosova në pozitë jo të mirë

Njohësit e rrethanave politike në vend kanë folur për sfidat me të cilat është përballur Kosova gjatë kësajkohe, duke përmendur sukseset dhe dështimet.

Ata kanë bërë me dije se ky 12-vjetor nuk po e gjen nëpozitë të mirë shtetin e Kosovës.

“Ky përvjetor po e gjen Kosovën në një situatë ku marrëveshja finale me Serbinë vetëm sa nuk ka përfunduar. Po e shihni se tani çdo ditë po arrihen marrëveshje në fusha të caktuara, ndërsa kur të shpenzohen këto marrëveshje, në fund do të thuhet se tashmë ka përfunduar çështja e marrëveshjes me Serbinë”, ka thënë për “Epokën e re” analisti politik Behxhet Shala.

Ai ka thënë se Kosova po përballet edhe me mungesë të perspektivës për qytetarët e saj.

Analisti tjetër politik Faton Abdullahu ka deklaruar për gazetën se që nga shpallja e pavarësisë Kosova asnjëherë nuk ka qenë më keq. “Që nga paslufta asnjëherë nuk kemi qenë më keq. Serbia nuk perceptohet si dikur agresive dhe planprishëse e paqes dhe sigurisë në rajon dhe ne nuk jemi unikë, ndërkaq zhvillimet gjeopolitike rajonale dhe më gjerë nuk janë sa kanë qenë dikur në favorin tonë. Për më keq aktualisht kemi një qeveri, kryeministri i së cilës është krejt i papërvojë, i cili ka humbur platformave në aeroportet evropiane dhe po vonon të jetë në kohë aty ku duhet të jetë dhe ku nënshkruhen marrëveshjet e rëndësishme nga ministrat e tij. Ky është rezultat i logjikshëm i determinuar nga një marrëveshje inekzistente ndërmjet dy subjekteve LV dhe LDK të cilat dolën fituese në zgjedhjet e fundit e të cilat nuk janë marrë vesh për shumë gjëra e më së paku se si do t’ia bëjnë me Serbinë”, ka thënë Abdullahu.

Ndërsa analisti Albinot Maloku ka treguar për gazetën se rrugëtimi i shtetit të Kosovës gjatë këtyre 12 vjetëve nuk ishte i lehtë. “Republika e Kosovës këto 12 vjet prej kur ajo e shpalli pavarësinë nuk është se i pati të lehta e pa sfida, mirëpo ecejaket e saj nuk do të ndalen. Rrumbullakimi i shtetësisë së saj ndodh atëherë kur Kosova do të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar ai. Sipas tij, ky përvjetor e gjen Republikën e Kosovës me sfida të shumta. “Të arriturat e saj në rrafshin diplomatik, sidomos në vitet epara dhe pas shpalljes së pavarësisë, ishin shumë të mira. Më pastaj patë një regres. Përvjetori i 12 Republikën e Kosovës e gjënë me qeveri të re, por me sfida shumë të mëdha, sidomos sociale dhe ekonomike”, ka vlerësuar Maloku.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për marrëdhëniet me…