13 mijë doza do të shpërndahen për stafin shëndetësor, 11 mijë për personat mbi 80 vjet

29 mars 2021 | 11:48

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë ditës së sotme ka takuar kryetarët e komunave të vendit.

Ky takim u mbajt për koordinimin e shpërndarjes së 24 mijë dozave të vaksinës antiCOVID nga programi “COVAX” i Organizatës Botërore të Shëndetësisë të cilat erdhën mbrëmë në Kosovë, njofton Klan Kosova.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi për KlanKosova.tv tha se nga Vitia u informuan se 13 mijë doza do të shkojnë për personelin shëndetësor dhe 11 mijë të tjera për persona mbi 80 vjet që kanë sëmundje kronike.

“Në këtë takim diskutuam për çështjen e shpërndarjes së vaksinave. Nga ky takim u bë e ditur se prej 24 mijë vaksinave 13 mijë doza do të shpërndahen për personelin shëndetësor që janë në front me ballafaqimin me pandeminë dhe 11 mijë vaksina për personat mbi moshën 80 vjeçare (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare)”.

Ibrahimi po ashtu deklaroi se të gjitha komunat janë të gatshme për fillimin e vaksinimit kundër COVID-19 dhe se ky proces do të kryhet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komuna përkatëse.

Mes tjerash Ibrahimi bëri të ditur se Vitia u zotua se në maj vijnë vaksinat e radhës.

Autoritetet kanë miratuar një Plan të vaksinimit i cili është i ndarë në tri faza

Në fazën e parë, sipas këtij plani do të vaksinohen grupet me rrezik të lartë ku përfshihen punëtorët shëndetësorë, banorët dhe punëtorët shëndetësorë të shtëpive të kujdesit për të moshuarit, grupmoshat 80+ dhe një pjesë e popullsisë me sëmundje kronike (persona në dializë, persona me diabet, sëmundje kardiovaskulare).

Në këtë grup, numri i përgjithshëm i personave llogaritet të jetë 54 mijë apo 3 për qind e popullsisë së përgjithshme të Kosovës.

Faza e dytë përfshihen grupmoshat 65-79 vjeç, popullsia e mbetur me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë që janë të përfshira në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Ky grup përbëhet nga 306 mijë persona apo 17 për qind e popullsisë.

Për fazën e parë dhe të dytë, sipas Planit për vaksinim, do të përdoren vaksinat që Kosova do të marrë nga programi COVAX.

Ndërkaq, për fazën e tretë parashihet të bëhet vaksinimi i 50 për qind të popullsisë në mënyrë që të arrijë 900 mijë persona ose 70 për qind të mbulimit të përgjithshëm të popullsisë me vaksinën COVID-19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit