
13-shja e PDK-së në Pejë: Prioritet siguria e fëmijëve në shkolla
Kandidatja për asambliste e PDK-së në Pejë, Dr. Antigona Gashi, me numër 13, ka thënë se me të marrë besimin e qytetarëve për në asamblenë e komunës, prioritet do ta ketë sigurinë e fëmijëve gjatë qëndrimit në shkolla dhe zhvillimin e një arsimi më të mirë në qytetin e Pejës.
“Çdo fëmijë duhet të jetë i sigurt në shkollë”, ka thënë Gashi në dy video të publikuara në rrjetet sociale, duke shtuar se armët e ftohta nuk duhet lejuar në asnjë shkollë, kujdesi i fëmijëve duhet të jetë maksimal.
13-shja e PDK-së në Pejë në garën për në asamble, ka thënë se arsimi sot në Kosovë përballet me sfida jo të lehta, me infrastrukturë jo të mirë, me paga të ulëta të mësimdhënësve.
“Unë do të jem zëri i sigurisë së fëmijëve tuaj në asamblenë e komunës së Pejës dhe i zhvillimit të arsimit”, ka thënë Gashi.
Dr. Antigona Gashi është shqiptaro-amerikane e lindur në Pejë dhe mbështetëse e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane (AACL).
Pas 30 vitesh në SHBA, është rikthyer për të kontribuar në vendlindje dhe kandidon për Asamblenë e Kuvendit Komunal të Pejës me numër 13.
Ajo ka përfunduar studimet në SHBA duke arritur titullin Doktor i Lidershipit Ekzekutiv dhe Drejtësisë (2023), si dhe tre diploma të tjera në drejtësi penale, lidership dhe administrim biznesi.
Dr. Gashi synon të sjellë metodologjinë politike amerikane, duke vendosur në qendër interesin publik.
Mesazhi i saj kryesor është: “Çdo fëmijë meriton arsim cilësor dhe çdo qytetar shëndetësi dinjitoze. Do të punoj që shkollat dhe spitalet tona të jenë shtylla e një shoqërie të fortë.”