13 vjet nga heqja e lapidarit të UÇPMB-së: Presheva nuk i harron dëshmorët
Në 13-vjetorin e heqjes së dhunshme të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka pritur në një takim zyrtar Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin institucional për vitin 2026 dhe për mbështetjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkërendimit institucional dhe përkrahjes së vazhdueshme të Kosovës për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kryetarja Sinani nënvizoi se, sa i përket realizimit të të drejtave të pakicave, ekziston një dallim substancial në përmbajtje dhe një hendek drastik në zbatim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në këtë ditë simbolike, kryetarja Sinani përkujtoi edhe 20 janarin 2013, kur xhandarmëria serbe hoqi në mënyrë të dhunshme lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës. Ajo e cilësoi këtë akt si një dhunë ndaj kujtesës kolektive dhe dinjitetit të shqiptarëve të Luginës.
“20 janari nuk harrohet. Një mëngjes frike, një akt dhune mbi kujtesën. Lapidari u largua, por dinjiteti jo. Plagët u hapën sërish, por kujtimi mbeti i pathyeshëm. Dëshmorët nuk fshihen. Historia nuk hesht. Lavdia jeton. Lavdi e përjetshme,” ka shkruar Sinani.
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, përkujtoi 20 janarin 2013, kur forcat serbe hoqën dhunshëm lapidarin e dëshmorëve shqiptarë.
“Sot bëmë homazhe për të kujtuar një akt të padrejtë dhe të dhunshëm ndaj kujtesës sonë kolektive. Lapidari u hoq, por e vërteta historike nuk u shua. Kujtesa nuk fshihet me ekskavatorë e vendime politike. Emrat e dëshmorëve jetojnë dhe mbeten në zemrat tona. Lavdi dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Rexhepi.
Kujtojmë se, sikur sot, 13 vjet më parë, forca të shumta të xhandarmërisë serbe larguan në mënyrë të dhunshme lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së, i vendosur para objektit të Komunës së Preshevës. Në lapidar ishin gdhendur emrat e 28 dëshmorëve që ranë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, e cila veproi në tri komunat shqiptare të mbetura nën Serbi nga 21 janari 2000 deri më 31 maj 2001.
Në vendin ku u largua lapidari, Komuna e Preshevës ka vendosur saksi me lule, ndërsa hapësira vazhdon të përkujtohet edhe sot si Sheshi i Dëshmorëve.



