Drita e Gjilani luajnë për fitore

16 shkurt 2019 | 07:33

Sot zhvillohet derbi më i madh në futbollin e Kosovës në mes të Dritës dhe Gjilanit.

Pavarësisht se janë jashtë garës për titull, Drita dhe Gjilani janë të motivuara maksimalisht për të shënuar fitore në derbin më të madh në vend, i cili zhvillohet sot (e shtunë). Fillimisht kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohet më 17 shkurt, por orari u ndryshua me arsyetimin se policia ka kërkuar që të shtunën të zhvillohet kjo ndeshje në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrën më të mirë.

Sulmuesi i Dritës, Përparim Livoreka, ka thënë të premten për “Epokën e re” se synim i kampionëve aktualë të elitës është fitorja në ndeshjen ndaj Gjilanit. Ai pret një ndeshje interesante si në fushë, po ashtu edhe në tribuna.

“Synimi në këtë ndeshje është të dalim me fitore. Sa i përket asaj që të dyja skuadrat jemi larg kreut, mund të them se nuk do të ndikojë aspak sepse jemi të motivuar të japim një paraqitje të mirë në këtë derbi. Atmosferë të mirë pres edhe në tribuna dhe në fund do të gëzohen ‘Intelektualët’”, ka thënë Livoreka.

Drita në këtë ndeshje hyn pas eliminimit nga gara e Kupës dhe largimit të trajnerit Shpëtim Duro. Edhe skuadra e Gjilanit është e motivuar maksimalisht për këtë ndeshje dhe synim i saj është fitorja. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe në stërvitjen e mbajtur të premten, ku skuadrën e vizitoi presidenti Florim Zuka. Ky i fundit rikonfirmoi mbështetjen për klubin që e drejton.

“Në stërvitjen e fundit ishte i pranishëm edhe presidenti i klubit të Gjilanit, Florim Zuka, i cili vizitoi skuadrën para fillimit të edicionit pranveror, ku edhe një herë ai dha përkrahjen dhe mbështetjen për skuadrën e tij, për ndeshjen ndaj Dritës dhe ndeshjet e pjesës së mbetur kampionale në IPKO Superligë”, thuhet në njoftimin e Gjilanit.

Krahas ndeshjes Drita – Gjilani, sot (e shtunë) zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera, e ku takohen Ballkani – Drenica dhe Ferizaj – Trepça ’89. Java e 18 do të mbyllet me dy ndeshje që zhvillohen të hënën, e ku takohen Flamurtari – Prishtina dhe Liria – Feronikeli.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Freiburg do të ketë gjashtë mungesa në transfertën e radhës…