
147-vjetori i Lidhjes së Prizrenit, Kurti: Lidhja është gjallë
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila është mbajtur në hapësirat e Lidhjes në këtë qytet.
“Vit pas viti, në çdo përvjetor, për çdo 10 qershor, ky log ku jemi mbledhur sot bashkë, na ka bashkuar për ta përkujtuar Lidhjen dhe për t’u rigjallëruar nëpërmjet trashëgimisë së saj. Ne nuk e kemi ndryshuar kurrë thirrjen e kësaj ngjarje të përvitshme, e cila thërret: Lidhja është gjallë”, ka thënë Kurti në hyrje të adresimit të tij.
Ai ka thënë se organizata “Lidhja Shqiptare” me seli në Prizren, është pika më kulmore e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
“Ajo është Rilindja Kombëtare në akt politik. Lidhja Shqiptare, e cila u themelua në Prizren, në Xhaminë e Bajrakut me 10 Qershor 1878, paraqet një lloj nyje tek e cila përbashkohen të gjitha çështjet kyçe dhe temat qendrore të historisë moderne të shqiptarëve dhe kjo, si në kontekstin e brendshëm shqiptar, ashtu edhe në gjendjen e shoqërisë botërore të asaj kohe”, ka thënë Kurti.
Ndër të tjera, Kurti ka përmendur faktin se Lidhja Shqiptare është formuar si organizatë politike, e cila do ta artikulonte vullnetin politik të të gjithë shqiptarëve karshi vendimeve të Kongresit përkatësisht Traktatit të Berlinit.
“Themelimi i Lidhjes do t’i jepte zë mendimit politik të Sami Frashërit dhe të Pashko Vasës, dy emra të mirënjohur edhe brenda vetë sferës publike osmane”, ka thënë ai, duke shtuar se për herë të parë në një interval disa shekullor historik, Lidhja po themelonte një kahe të re, atë të idesë së bashkimit në ide e përfaqësim e përpjekje të shqiptarëve.
“Ajo po bashkonte rreth një projekti të vetëm politik kombëtar përtej dallimeve fetare, krahinore e fisnore, numrin maksimal të shqiptarëve në të katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare. Qëllimi ishte një vilajet shqiptar i mëvetësishëm si njësi unike në hapësirën e Rumelisë, siç quheshin territoret evropiane të Perandorisë Osmane atëbotë. Lidhja i dha pozicion të qartë politik shqiptarëve sa i takon premisës tashmë gjerësisht evropiane të rezultimit të çdo kombi të vërtetë me një shtet për vete”, ka thënë Kurti.
Në shënim të kësaj ngjarje të rëndësishme, Kurti ka thënë se me Lidhjen e Prizrenit, shqiptarët po shpreheshin në mënyrë unike mbi çfarë ishin ata vetë dhe çka ishte realiteti politik ndërkombëtar.
“Pavarësisht shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si organizatë, ajo ka mbetur e gjallë si shembull qëndrimi dhe misioni në historinë e përpjekjes së shqiptarëve për jetësimin e vullnetit të tyre legjitim politik, si një projekt afirmativ dhe për paqe”, është shprehur Kurti.