15 vjet pas Pranverës Arabe: Ku janë presidentët që u rrëzuan nga protestat popullore?
Kanë kaluar 15 vjet që nga 17 dhjetori 2010, kur shitësi ambulant tunizian, Mohamed Bouazizi, i vuri flakën vetes në shenjë proteste ndaj dhunës policore dhe neglizhencës së autoriteteve. Akti i tij u kthye në shkëndijën që ndezi protesta masive në Tunizi dhe më pas në mbarë botën arabe, duke shënuar fillimin e asaj që u quajt Pranvera Arabe.
Të nxitur nga papunësia e lartë, korrupsioni i përhapur dhe mungesa e lirive politike, miliona qytetarë dolën në rrugë në vitin 2011 në vende si Egjipti, Libia, Jemeni dhe Siria. Si pasojë, pesë liderë autoritarë, që kishin sunduar për dekada, u rrëzuan nga pushteti. Sot, një dekadë e gjysmë më vonë, fati i tyre mbetet një pasqyrë e trazirave politike që përfshinë rajonin, shkruan Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
Ben Ali erdhi në pushtet në vitin 1987, pasi shpalli presidentin e përjetshëm Habib Bourguiba të paaftë për të qeverisur. Regjimi i tij u karakterizua nga kontrolli i fortë i aparatit të sigurisë, censura dhe korrupsioni.
Pas protestave masive të nisura nga vetëdjegia e Bouazizit, Ben Ali u detyrua të largohej nga vendi më 14 janar 2011 dhe u arratis në Arabinë Saudite. Ai u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm nga drejtësia tuniziane, por nuk e vuajti kurrë dënimin. Vdiq në vitin 2019 në Xhedah, në moshën 83-vjeçare.
Mubarak mori presidencën pas vrasjes së Anwar Sadatit dhe sundoi Egjiptin për tri dekada nën ligje të jashtëzakonshme dhe me rol dominues të ushtrisë.
Protestat që nisën më 25 janar 2011 çuan në dorëheqjen e tij pas 18 ditësh. Ai u përball me gjyqe për vrasjen e protestuesve dhe korrupsion, u dënua fillimisht, por më pas u lirua. Mubarak vdiq në Kajro në vitin 2020, në moshën 91-vjeçare.
Saleh sundoi Jemenin për më shumë se tre dekada, duke manovruar mes aleancave tribale dhe ushtarake. Pas protestave të vitit 2011, ai u detyrua të largohej nga pushteti në vitin 2012.
Më vonë, ai lidhi një aleancë të përkohshme me rebelët Houthi, por marrëdhënia u prish. Në vitin 2017, Saleh u vra nga forcat Houthi, në moshën 75-vjeçare.
Gaddafi erdhi në pushtet pas grushtit të shtetit të vitit 1969 dhe krijoi një sistem të centralizuar, të bazuar në besnikëri personale dhe kontroll të pasurisë së naftës.
Protestat e vitit 2011 u shndërruan shpejt në luftë civile, me ndërhyrje ndërkombëtare. Në tetor 2011, Gaddafi u kap dhe u vra nga rebelët në qytetin e tij të lindjes, Sirte, duke i dhënë fund 42 viteve sundim.
Assad mori pushtetin pas vdekjes së të atit, Hafez al-Assad, duke trashëguar një regjim të fortë dhe të centralizuar. Protestat paqësore të vitit 2011 u përballën me represion të ashpër, duke çuar në një luftë civile shkatërrimtare që zgjati gati 14 vjet.
Më 8 dhjetor 2024, regjimi i familjes Assad u rrëzua pas një ofensive të shpejtë të forcave rebele. Bashar al-Assad dhe familja e tij u larguan nga Siria dhe aktualisht jetojnë në mërgim në Moskë.



