Mijëra njerëz ikin nga luftimet në Libi

08 prill 2019 | 20:07

Së paku 2 800 njerëz ikën nga luftimet pranë kryeqytetit të Libisë, Tripoli, kanë bërë me dije Kombet e Bashkuara.

Sipas tyre, shumë civilë të tjerë kanë mbetur të bllokuar dhe pa shërbimet e domosdoshme për jetën.

Forcat e Ushtrisë Kombëtare të Libisë, grup që udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar, kanë nisur një ofensivë të enjten e kaluar, me qëllim marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja.

Al-Serraj e ka akuzuar gjeneralin Haftar për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën.

Ministria e Shëndetit Publik e Libisë, ka deklaruar të hënën se së paku 25 njerëz janë vrarë dhe 80 janë plagosur – përfshirë edhe civilë, edhe ushtarë.

Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bërë thirrje për ndalimin e dhunës.

“Fushata e njëanshme ushtarake në Tripoli rrezikon civilët dhe minon perspektivat për një të ardhme më të mirë për të gjithë libianët”, ka thënë  sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Fuqitë ndërkombëtare kanë filluar të evakuojnë personelin nga Libia, për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

Gjenerali Haftar e ndihmoi Gaddafin të merrte pushtetin në vitin 1969, përpara se të armiqësohej me të dhe të shkonte në mërgim në ShBA.

Haftar është kthyer në Libi në vitin 2011, pasi kushte nisur kryengritja kundër Gaddafit dhe ai është bërë komandant i rebelëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Jose Mourinho që prej shkarkimit nga Manchester Unitedi është…