16 milionë amerikanë në pritje të stuhisë së fortë të dëborës që pritet të godasin orët e ardhshme
Një front i ftohtë nga Kanadaja pritet të sjellë të paktën 30 cm dëborë në një rajon që shtrihet nga Michigani në Anglinë e Re qendrore dhe të vërë më shumë se 16 milionë amerikanë në gatishmëri për stuhi dimërore. “Stuhia, e cila tashmë ka sjellë dëborë nga Iowa në Kansas këtë mëngjes, pritet të forcohet ndërsa lëviz drejt lindjes,” tha Rich Otto, një meteorolog në Qendrën e Parashikimit të Motit të Shërbimit Kombëtar të Motit.
Moti i keq, i cili do të ndikojë në Rrafshnaltën e Madhe qendrore, Midwest dhe Verilindje, pritet të arrijë kulmin nga nata e së hënës deri të martën. Ndërkohë, banorët në Uashington, Filadelfia dhe Boston pritet të përballen me shi dhe breshër. Vala e re e motit të keq vjen pas një stuhie që “veshi” pjesë të vendit me të bardha, duke shkaktuar probleme me trafikun në Iowa, Indiana, Illinois dhe zona në Midwest, vuri në dukje meteorologu.
Mediat e huaja shkruajnë se policia e Indianës tha në mediat sociale se rrugët e akullta dhe dukshmëria e ulët kontribuan në një aksident me 50 automjete në autostradën ndërshtetërore 70 në Terre Haute të shtunën. Në Çikago, trashësia totale e borës arriti në 10 inç gjatë fundjavës. Brandon Buckingham, një meteorolog me shërbimin privat të motit Accuweather, i paralajmëroi udhëtarët se kushtet e rrugëve do të përkeqësoheshin nga e hëna deri të martën në mbrëmje.



