17.8 milionë raste në botë/ Covid-19 në SHBA, 1 viktimë çdo minutë

01 gusht 2020 | 18:35

Mbi 17,8 milionë persona në të gjithë botën janë prekur nga Covid-19, ndërsa virusi pandemik ka shkaktuar më shumë se 684 mijë viktima në nivel global. Përhapja është rritur ndjeshëm duke marrë parasysh që në harkun kohor të vetëm 5 ditëve janë shënuar mbi 1 milion të infektuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten vendi më i goditur nga pandemia në të gjithë botën. Përkatësisht dje janë raportuar 1,462 të vdekur, një viktimë çdo minutë, me bilancin total të jetëve të humbura që shkoi në mbi 156 mijë.

Niveli i përhapjes është më i larti në dy muajt e fundit dhe Kalifornia, Teksasi, Arizona dhe Florida po regjistrojnë pikun e pandemisë. Presidenti amerikan, Donald Trump, vijon të mbështesë përdorimin e hidroksiklorokinës si trajtim kundër Covid-19 edhe pse zyrtarët shëndetësorë janë shprehur haptazi kundër këtij veprimi.

“Po mundohem të shpëtoj jetë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në një tubim në Teksas. Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan e bëri të detyrueshme përdorimin e maskës. Njoftimi erdhi nga kryetarja, Nancy Pelosi.

Vendimi u nxit nga një ligjvënës republikan, i cili krijonte shpesh polemika pasi refuzonte të vendoste maskën dhe së fundmi rezultoi pozitiv me koronavirus. Ndërkohë, shifrat e pandemisë në Shtetet e Bashkuara mundtë ulen gjatë ditëve në vijim, jo për shkak të frenimit të përhapjes, por nga mbyllja e qendrave të testimit në Florida nga një stuhi e fuqishme që pritet të kalojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti i Gjilanit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së…