
17-shi i PDK-së, Muhamet Selmani: Koha për t’i dhënë zë halleve të fshatrave të Prishtinës
Kandidati i PDK-së për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Muhamet Selmani, së bashku me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, si dhe anëtarë të tjerë të nëndegës së PDK-së për Barilevë e Drenovcë, kanë zhvilluar një vizitë në zonën e Barilevës dhe Drenovcës.
Ata qëndruan në familjen e Zymer Gashit, të cilin Selmani e ka vlerësuar si një burrë fisnik dhe pjesë e një familjeje të madhe e patriotike, me traditë të gjatë në shërbim të vendit. Në takim morën pjesë edhe shumë banorë të kësaj ane.
Sipas Selmanit, diskutimet u përqendruan në mungesën e shërbimeve bazike si çerdhe, shëndetësi, ujësjellës, infrastrukturë rrugore dhe transport urban. Ai tha se banorët kanë ngritur shqetësime edhe për mungesën e një depoje për ruajtjen e prodhimeve bujqësore, problemet me vërshimet, nevojën për pastrimin e shtratit të lumit Llap, si dhe mungesën e varrezave në fshat.
Selmani theksoi se këto nuk janë projekte luksi, por domosdoshmëri për jetën e përditshme të banorëve, duke kujtuar se sipas tij, shumë prej tyre ishin përfshirë në buxhetin komunal që nga viti 2014.
Ndërkohë, kandidati për kryetar, Uran Ismaili, u zotua se në fillim të mandatit të tij do të përfundojë këto projekte dhe paralajmëroi edhe investime të tjera në zonë, përfshirë fushat sportive, tregun e fshatit, hapësirat e gjelbra, sistemin e arsimit dhe shërbimet komunale.
“Ka ardhur koha për ndryshim, për një Prishtinë që zhvillohet jo vetëm në qytet, por edhe në fshatra,” është shprehur Selmani, duke ftuar bashkëvendasit e tij t’i bashkohen projektit politik të PDK-së.
PDK #191
Muhamet Selmani #17