
17 të vdekur nga shirat e rrëmbyeshëm në Korenë e Jugut
Numri i viktimave nga shirat e rrëmbyeshëm që përfshinë Korenë e Jugut në ditët e fundit ka shkuar në 17, ndërkohë që 12 të tjerë janë ende të zhdukur.
Ministria e Brendshme e vendit tha se gati 4 mijë persona mbeten ende të evakuuar nga shtëpitë e tyre, për shkak të rrezikut që vazhdon, edhe pse shiu ndaloi në pjesën më të madhe të Koresë së Jugut të dielën dhe alarmet janë hequr.
Një person u vra të dielën pasi shtëpia e tij u shemb gjatë shirave të rrëmbyeshëm dhe një person tjetër u gjet i vdekur pasi u përfshi nga një përrua.
Ministria e vendit tha se tetë persona u gjetën të vdekur dhe gjashtë të tjerë u raportuan të zhdukur në qytetin jugor të Sancheong (Sançeong) gjatë ditës së shtunë, pasi shirat e shkaktuan rrëshqitje toke, shembje shtëpish dhe përmbytje të menjëhershme.
Më herët javën e kaluar, tre persona u gjetën të vdekur në një makinë të zhytur në ujë, dhe një person u vra kur makina e tij u mbulua nga dheu dhe betoni pasi një mur mbajtës i një mbikalimi u shemb.