17-vjeçari në Ferizaj s’i ndalet patrullës së policisë dhe shkakton aksident, gjobitet me 600 euro
Njësitë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj kanë ndërmarrë veprime ndaj një personi për disa kundërvajtje në trafik.
Më datë 05.01.2026, në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, personi E.A. (17 vjeç), duke lëvizur me automjetin VW Golf me targa vendore, nuk është ndalur në shenjën stop të dhënë nga policia.
Më pas, duke vazhduar lëvizjen, në rrugën magjistrale në fshatin Bibaj të Ferizajt, ka shkaktuar aksident trafiku me dëme materiale, duke u përplasur me një automjet tjetër.
Gjatë verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se i dyshuari nuk posedonte patentë shoferi, ndërsa automjeti që drejtonte ishte i paregjistruar, me afat regjistrimi të skaduar që nga 13.10.2024.
Për këto kundërvajtje, policia ka ndërmarrë këto masa: -150 euro gjobë për mosndalje në shenjën “STOP” të policisë; – 250 euro gjobë për shkaktim të aksidentit të trafikut; – 200 euro gjobë për drejtim të automjetit me afat të skaduar të regjistrimit; po ashtu është inicuar rast për gjykatë për kundërvajtje për drejtim të automjetit pa patentë shoferi, si dhe automjeti është konfiskuar përkohësisht.
Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë qytetarët që të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi dhe të respektojnë rregullat e trafikut, me qëllim të rritjes së sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.



