18 dështime në Kuvend – Kadrijaj: Për këtë maskaradë, Kurti duhet të ndihet i turpëruar

20 maj 2025 | 18:31

Për të 18-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet plotësisht, pasi nuk është arritur të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, proces që ka ngecur që nga betimi i deputetëve më 19 prill.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë fituese nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar për këtë post Albulena Haxhiun, por ajo nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash në asnjë nga 18 tentimet.

Në lidhje me këtë situatë ka folur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e cila në FIVE të Dukagjinit e ka cilësuar këtë proces si një “maskaradë” dhe ka thënë se përgjegjës për këtë është kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Nëse dikush duhet të ndihet i turpëruar për atë se çka po ndodh, më këtë maskaradë që po ndodh në Kuvend, duhet të ndihet ti turpëruar vetë Albin Kurti”, ka thënë Kadrijaj.

Sipas Kadrijajt, Vetëvendosje asnjëherë nuk ka votuar kandidatë për kryeparlamentar kur nuk ka qenë në pushtet, ndërsa tani po kërkon mbështetje pa konsensus.

“Sepse nëse, kthehemi prapa, shihi deklarata e vetë zotit Kurti, kur është tentuar të zgjedhjet kryeparlamentar zoti Veseli. Ose shihni deklaratat e vetë Albulena Haxhiu, kur është dashtë të zgjedhet Kadri Veseli. Ose shiheni historikun, kur Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qenë në pushtet, kurrë VV-ja dhe deputetët e saj e kanë votuar ndonjë kandidat për kryeparlamentar”, ka shtuar Kadrijaj.

Kadrijaj kritikoi gjithashtu përpjekjet e Vetëvendosjes për të ndryshuar mënyrën e votimit nga votim i hapur në të fshehtë. Sipas saj, kjo po bëhet përmes kryesuesit të seancës, Avni Dehari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vespa synon të bëjë revolucion  për mënyrën sesi do të…