18 muaj pa u mbledhur Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, Murtezaj i ashpër me partinë: Si është e mundur që kjo të ndodhë?

25 nëntor 2025 | 12:32

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Valon Murtezaj, ka kritikuar lidershipin e kësaj partive për mosmbledhjen e organit më të lart partiak.

Ai ka bërë me dije se Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së nuk është mbledhur për gati dy vjet .

Murtezaj ka shtruar në “Facebook” një pyetje për lidershipin e LDK-së.

“Nga data 28 maj 2024 e deri sot, po bëhen 1 vit e gjysëm, apo 18 muaj, që nuk është thirrur, dhe rrjedhimisht nuk është mbajtur asnjë takim i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në rend të ditës të këtë situatën politike dhe gjendjen e përgjithshme dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Pra, kjo ishte mundësia e fundit që një anëtare apo anëtar i Këshillit të Përgjithshëm, njerëz të devotshëm të LDK-së e të Kosovës, të mund të kryejnë me përgjegjësi detyrën e vet më madhore, të vendosin përcaktimin e qëndrimeve të LDK-së bazuar në orientimet kryesore politike të LDK-së; dhe sipas rregullit dhe rendit statutar të LDK-së, përmes kontributeve dhe dikutimeve të lira të gjenden dhe ofrohen zgjidhjet më të mira për Lidhjen Demokratike te Kosovës, për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Për të mirën e LDK-së dhe të Kosovës, pyetje legjitime sot, të ngritura me brengosje të thellë dhe zemërim janë: Si është e mundur që kjo të ndodhë?”, ka shkruar Murtezaj

Sipas tij, kjo është një sjellje e çuditshme e parisë së LDK-së.

“Pse e bëjnë këtë abrogim, dhe pse e lejojnë dhe praktikojnë këtë, menaxhuesit aktualë të LDK-së? Për të sqaruar më tej, sipas Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (që është Kushtetuta e LDK-së), është vetëm në autoritetin, dhe vetëm në përgjegjësinë e Këshillit të Përgjithshëm të vendos përcaktimin e qëndrimeve të LDK-së bazuar në orientimet kryesore politike të LDK-së dhe të organeve te saj; si dhe të vendos për çështjet madhore, qoftë për LDK-në si organizatë politike, qoftë për rolin e LDK-së në formimin e institucioneve si Kuvendi dhe Qeveria. Në ndërkohë, siç e dimë të gjithë, janë mbajtur dy palë zgjedhje, ato nacionale, dhe zgjedhjet lokale (në dy raunde). Zgjedhjet tjera nacionale janë caktuar të mbahen më 28 dhjetor 2025. Për më tepër, kriza aktuale politike dhe institucionale, më e rënda në Kosovën e pavarur, dhe pasojat për shtetin e Kosovës tanimë janë fakt. Po bëhet një vit që Kosova nuk ka qeveri efektive, dhe as Kuvend efektiv. Kjo është pasojë e palidershipit politik, si dhe të deficitit të përgjegjësisë dhe patriotizmit në raport me egon dhe profiterizmin vetjak, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj më të mirën dhe atë që i duhet, sot dhe në kohët që po vijnë”, ka shkruar Murtezaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar të martën se…