18 vjet shtet, Abdixhiku: Rruga paqësore e Rugovës dhe ajo e luftës së UÇK-së e plotësuan njëra-tjetrën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në fjalimin e tij në seancën solemne kushtuar 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka thënë se rrugëtimi paqësor i ndjekur nga presidenti Ibrahim Rugova dhe ajo e luftës çlirimtare të UÇK-së prej komandantit Adem Jashari, nuk e përjashtuan njëra-tjetrën, por e plotësuan atë.
Vetëm duke i respektuar këto dy rrugë, Abdixhiku ka thënë se “historia jonë mbetet e plotë dhe e ndershme”.
Më tutje, ai ka kujtuar unitetin kombëtar të 17 shkurtit të vitit 2008 ku ishte shpallur Pavarësia e Kosovës nga Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi.
“Familja Jashari dhe Prekazi janë kthesë historike e kësaj rruge çlirimtare… Nuk ishte heroizëm vetëm individual, por akt themelues i çlirimit. Prekazi e zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe atë ndërkombëtare. Dhe bëri të qartë se padrejtësia kishte arritur kufirin e fundit… UÇK-ja ishte përgjigja e një populli të shtypur. UÇK-ja u bë faktor i pashmangshëm i realitetit politik dhe historik…UÇK është populli i Kosovës”.
“Rruga paqësore dhe ajo çlirimtare janë rrugët e popullit tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, ato e plotësojnë njëra tjetrën, dhe nuk e përjashtojnë njëra tjetrën…Vetëm duke i respektuar të dyjat historia jonë mbetet e plotë dhe e ndershme… Këto janë vlerat identitare të shtetit tonë. Shtëpia nuk mbahet pa miq, s’u mbajt dje as s’mbahet sot as nesër. Pavarësia ishte akt uniteti kombëtare, ishte dëshmi që Kosova di të bashkohej kur i kërkohet”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se nuk ka as proces e as forcë që ndryshon lavdinë e luftës së pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).



