2 000 pacientë në listën e pritjes në Klinikën e Kardiologjisë

21 korrik 2025 | 09:05

Numri i pacientëve që ende presin për një procedurë të rëndësishme si koronarografia në QKUK, mbetet shqetësues.

Edhe pse numri është ulur krahasuar me mbi 4 mijë e 600 raste të trashëguara, fakti që pacientët elektivë duhet të presin deri në një vit për t’u diagnostikuar, mbetet alarmant.

Aktualisht janë rreth 2 mijë pacientë në listën e pritjes, një procedurë që shërben për diagnostikimin e sëmundjeve ishemike të zemrës.

Kështu ka bërë të ditur për “Front Online” drejtori i Klinikës së Kardiologjisë, Faik Shatri.

Ai thotë se Klinika ka mbaruar rastet e 2023-tes, dhe ka filluar trajtimi i pacientëve të 2024-tes.

 “Lista aktive e pacientëve që presin për koronarografi elektive është rreth 2000 raste. Kjo paraqet një rënie të ndjeshme nga mbi 4600 raste sa kemi trashëguar në fillim të mandatit aktual. Aktualisht, Klinika ka përfunduar të gjitha rastet e mbetura nga viti 2023 dhe është duke trajtuar rastet e regjistruara gjatë vitit 2024. Koha e pritjes për rastet elektive aktualishte eshte rreth 1 vit. Pacientët me indikacione urgjente nuk përfshihen në këtë listë dhe trajtohen menjëherë”, u shpreh Shatri.

Ai tha se rastet urgjente trajtohen menjëherë, pa u futur në listën e pritjes, por realiteti për pacientët e tjerë mbetet shqetësues.

“Pacientët urgjentë, të cilët paraqiten me infarkt akut apo gjendje kërcënuese për jetën – për ta nuk ekziston listë pritjeje dhe procedura kryhet brenda ditës ose menjëherë pas stabilizimit klinik. Pacientët elektivë, të cilët kanë dyshime për sëmundje ishemike të zemrës dhe kanë nevojë për diagnostikim – për ta ekziston një listë e pritjes e menaxhuar në mënyrë të strukturuar”, thotë Shatri.

Klinika e Kardiologjisë në QKUK po përballet me sfida serioze në përmbushjen e nevojave të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, të cilat po rriten vazhdimisht si pasojë e plakjes së popullsisë.

Kështu deklaroi për “Front Online” drejtori i klinikës, Faik Shatri.

“Klinika përballet me disa sfida strukturore dhe sistemike, përfshirë: Kërkesë të vazhdueshme në rritje për procedura invazive për shkak të rritjes së prevalencës së sëmundjeve kardiovaskulare dhe plakjes së popullsisë dhe rritjes së besueshmërisë së popullatës në shërbimet tona”, potencoi Shatri.

Shatri njoftoi se ka nisur ndërtimi i një salle të dytë moderne për procedura invazive, e cila pritet të jetë funksionale deri në tetor të këtij viti.

“Kapacitete infrastrukturore të kufizuara, me vetëm dy salla funksionale, qe mbulojnë shremimin e kardiologjisë invazive dhe shermimin për implantim të pajisjeve elektrostimuluese. Për këtë arsye, është nisur ndërtimi i një salle të dytë moderne për procedura invazive, e cila pritet të vihet në funksion deri në tetor të këtij viti”, theksoi Shatri

Një tjetër sfidë madhore për Klinikën e Kardiologjisë është mungesa e stafit infermieror, thotë drejtori i Kardiologjisë.

“Mungesë e stafit të mjaftueshëm infermieror, sidomos për të mbuluar punën në dy qendrat aktive. Kemi ndërmarrë masa konkrete për riorganizimin e shërbimeve, për menaxhimin aktiv të listave të pritjes dhe për rritjen e kapaciteteve ekzistuese”, përfundoi Shatri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Softueri i serverëve të “Microsoft Corp” është sulmuar masivisht nga hakerat. Ekspertët…