2 shkurt 1990: Dita e fillimit të pajtimit të gjaqeve në Kosovë  

02 shkurt 2022 | 08:11

/Mal Qorraj, Epoka e re/

Si zakonisht, në rastet e shtypjes me dhunë të demonstratave të shqiptarëve të Kosovës, regjimi pushtues i Beogradit përmes manovrimeve të ndryshme politike, diplomatike dhe propagandistike, në janarin e vitit 1990 përpiqej ta demantonte dhunën e përdorur publikisht dhe vrasjen e demonstruesve paqësorë shqiptarë në Kosovë nga forcat e tij speciale policore. Krerë të caktuar ushtarakë dhe politikë të këtij regjimi, në mesin e tyre edhe Ali Shukria, përmes medieve elektronike dhe të shkruara, që kontrolloheshin nga pushteti, përpiqeshin që ti përgënjeshtronin aktet e vrasjeve para opinionit, duke deklaruar publikisht se nuk janë forcat policore të regjimit ato që po kryejnë vrasjet e demonstruesve në Kosovë, por vrasjet i bëjnë vetë shqiptarët sipas ligjeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit.


Sipas këtyre tellallëve të Beogradit, vrasjet e demonstruesve sishin gjë tjetër veçse marrje e hakut nga shqiptarët e hasmëruar me njëri-tjetrin që prej vitesh, të cilët për këtë qëllim tashmë po shfrytëzonin trazirat e filluara gjithandej Kosovës. Pikërisht rreth këtij argumenti të regjimit kolonial të Beogradit është hapur biseda në takimin e rastësishëm në një rrugë të Pejës, tani quhet rruga Lidhja e Pejës, qytetit më verior i Rrafshit të Dukagjinit, ku po prisnin të luante nga vendi një autoblindë policie që kishte bllokuar hyrjen në qendër të qytetit, në mes të ish-të burgosurve politikë Have Shala, Myrvete Dreshaj, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj.

Aty, në atë rrugë që të çon në sheshin para Shtëpisë së Mallrave, Have Shala shtron idenë e fillimit të pajtimit të familjeve të hasmëruara, ide të cilën më herët e kishte biseduar me shoqen e saj të shkollës së mesme dhe pastaj edhe me grupin politik dhe të burgut, Myrvete Dreshaj. Për të biseduar nismën konkrete dhe realizimin e saj, ata vendosin për tu takuar në mbrëmjen e po asaj dite në shtëpinë e ish-të burgosurit politik Adem Grabovci. Ideja për tu takuar në shtëpinë e tij dhe për ta diskutuar idenë për pajtimin e gjaqeve ishte dhënë nga Lulëzim Etemaj.


Sipas marrëveshjes paraprake, në takim në shtëpinë e Adem Grabovcit, në periferi të qytetit të Pejës, kanë marrë pjesë Have Shala, ish-e burgosur politike, studente, me vendbanim në fshatin Rashiq, komuna e Pejës; Myrvete Dreshaj, ish-e burgosur politike, studente, nga fshati Vrellë, komuna e Istogut, me vendbanim në Pejë; Adem Grabovci, ish-i burgosur politik dy herë radhazi, student, me studime të ndërprera për shkak të burgosjeve, me prejardhje nga fshati Saradran, komuna e Istogut, me vendbanim në Pejë; Lulëzim Etemaj, ish-i burgosur politik, student, me vendbanim në fshatin Saradran, po ashtu komuna e Istogut, si dhe Brahim Dreshaj, ish-i burgosur politik, student, me vendbanim në fshatin Nabërgjan, komuna e Pejës.

Pas shumë diskutimesh, kur dita e 29 janarit 1990 kishte numëruar 3-4 orët e para, ata e marrin vendimin për të filluar Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave në Kosovë.


Praktikisht, fillimin e aksionit e shënon ndërhyrja e parë e tyre në fshatin Lumbardh të Deçanit, më 2 shkurt 1990, ku është kërkuar falja e gjakut. E gjitha çka ishte nxjerrë në këtë rast, ishte një besë dymuajshe. Pjesëmarrës kanë qenë edhe profesorët Anton Çetta si dhe Zekeria Cana, të cilët i ishin bashkangjitur grupit të nismëtarëve të pajtimit të gjaqeve pas ftesës që u ishte bërë nga ana e nismëtarëve.
Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve shumë shpejt mori përmasat e vërteta të një lëvizjeje gjithëpopullore për pajtim si për nga numri i gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave të falura, po ashtu edhe për nga numri i veprimtarëve të cilët vullnetarisht ishin përfshirë në të, me synimin që pajtimi i filluar ndërshqiptar të përmbyllej me sukses.


Në fund të periudhës njëvjeçare të veprimit, 1990-1991, Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë ka shënuar, krahas qindra plagëve dhe ngatërresave, mbi një mijë gjaqe të falura. Gjeografia e pajtimit është fund e krye gjeografia e Kosovës, e Shqipërisë së këndej Drinit, siç cilësohet me të drejtë nga poeti ynë i shkëlqyeshëm, Dritëro Agolli. Moto e veprimtarisë së saj ishte bërë motoja e Adem Demaçit: Jo atyne që janë trima me ngrehë gishtin e krimit, por atyne që janë burra me shtri dorën e pajtimit, e shprehur në romanin e ndaluar Gjarpijt e gjakut.


Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë është lëvizja më përbashkuese e popullit tonë në historinë më të re. Ajo është cilësuar si një nga format e pashembullta të rezistencës sonë.

(Shkrimi është bazuar në librin Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë, të autorit Lulëzim Etemaj, botim i shtëpisë botuese Armagedoni, Prishtinë)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Socialdemokrate ka akuzuar Qeverinë Kurti se me arrestimin e…