
20 të vrarë në Donetsk, Zelensky: Trump të ndërhyjë
Paqja në Ukrainë duket gjithnjë e më larg, pasi më shumë se 20 persona u vranë në një sulm ajror rus në një fshat të rajonin e Donetsk.
Presidenti Volodymyr Zelensky, duke postuar pamje nga vendi i ngjarjes në Yarova, tha se bombat goditën civilët në momentin kur po shpërndaheshin pensionet.
Pamjet tregojnë pasojat e tmerrshme të sulmit, ku shumë njerëz shihen të pajetë në tokë. Shumë prej tyre duket se janë të moshuar dhe të veshur me rroba civile.
Zelensky kërkoi që Moska të mbajë përgjegjësi për pasojat dhe bëri thirrje për sanksione të reja. Ai theksoi se nevojitet një përgjigje e fortë nga Shtetet e Bashkuara, për ta bërë Rusinë të ndalë vrasjet.
Fshati Yarova, në veri të Slovianskut, është një nga më të mëdhenjtë në rajon dhe jo shumë larg vijës së frontit.
Presidenti rus Vladimir Putin ka përshkallëzuar sulmet në Ukrainë që pas takimit të tij me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump, i cili ka kërkuar një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës dhe ka kërcënuar me sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë nëse ajo nuk i përmbahet marrëveshjes.
Javët e fundit Ukraina është përballur me disa nga sulmet më të rënda ndaj civilëve, pasi edhe gjatë fundjavës Rusia nisi sulmin më të madh ajror ndaj Kievit që nga fillimi i luftës. Të paktën 4 persona u vranë, ndërsa u godit edhe ndërtesa kryesore e qeverisë ukrainase.