20-vjeçari tenton të hyjë i armatosur në rezidencën e Presidentit Trump, vritet nga shërbimi sekret në Mar-a-Lago

22 shkurt 2026 | 18:08

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara njoftoi të dielën se një person i armatosur u qëllua për vdekje pasi hyri në perimetrin e sigurisë së Mar-a-Lago, rezidencës dhe klubit privat të Donald Trump në Palm Beach, Florida.

Megjithëse presidenti amerikan kalon shpesh fundjavat në këtë resort bregdetar, ai ndodhej në Shtëpinë e Bardhë në Uashington gjatë incidentit, ashtu si edhe zonja e parë, Melania Trump.

Identiteti i personit të qëlluar nuk është bërë ende publik. Sipas Shërbimit Sekret, ai u “vërejt pranë hyrjes veriore në Mar-a-Lago duke mbajtur në duar diçka që ngjante me një pushkë gjahu dhe një shishe me lëndë djegëse”.

“The Guardian” raporton se, sipas hetuesve, i dyshuari ishte në fillim të të 20-ave dhe nga Karolina e Veriut. Ai ishte raportuar i zhdukur disa ditë më parë nga familja e tij.

Hetuesit besojnë se ai u largua nga Karolina e Veriut dhe u drejtua për në jug, duke marrë me vete një pushkë gjatë rrugës, tha zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi.

Kutia e armës u gjet në automjetin e tij, shtoi Guglielmi. Burri hyri me makinë përmes portës veriore të Mar-a-Lago në momentin kur një tjetër automjet po dilte, dhe u përball me agjentët e Shërbimit Sekret, të cilët e qëlluan për vdekje.

Hetuesit po punojnë për të përpiluar një profil psikologjik dhe për të zbuluar motivin.

Ai u qëllua nga agjentë të Shërbimit Sekret dhe një zëvendëssherif i qarkut Palm Beach, bëri të ditur agjencia federale, ndërsa incidenti ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit me orën lindore të SHBA-së.

Në korrik 2024, Trump u plagos gjatë një tentative për atentat ndërsa po fliste në një tubim mbështetësish në Butler, Pensilvani, gjatë fushatës presidenciale. Një plumb i preku veshin dhe disa pjesëmarrës humbën jetën.

Më 15 shtator të po atij viti, një person i armatosur me pushkë u kap pasi kishte pritur pranë fushës së golfit të Trump në West Palm Beach, ndërsa presidenti po luante. Ai dukej se po drejtonte armën përmes një gardhi sigurie. Më herët këtë muaj ai u dënua me burgim të përjetshëm.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. / The Guardian

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është…