200 milionë euro për infrastrukturën e futbollit në Kosovë

21 prill 2024 | 13:19

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do të bëhet një transforim rrënjësior i infrastrukturës së futbollit.

Ai nëpërmjet një statusi në “Facebook”, ka shkruar se do të investohen 200 milionë euro, duke shtuar se janë të vendosur dhe stadiumet po bëhen.

“Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin ‘Përparim Thaçi’ në Prizren”, ka shkruar Kurti, ku edhe ka publikuar një video.

Gjithashtu, kryeministri Kurti ka bërë me dije se punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot.

Ai ka thënë se tashmë janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.

Ndërkohë, pjesë e planit pesëvjeçar është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas. Gjatë këtij viti, ka zbuluar se do të nisin edhe procedurat për stadiumin nacional të Kosovës.

“Vlera totale e investimeve tona në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro. Gjatë këtij viti nisim procedurat për stadiumin nacional të Kosovës. Plani ynë pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit. I njëjti i është prezantuar edhe FIFA-s dhe UEFA-së dhe mbështetet nga ta”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë se…