Nitaj: Opozitës nuk i duhen zgjedhjet, është e çakorduar
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se opozita është e çakorduar. Ky është konstatimi i deputetit të AAK-së Nitaj, kur flet për kërkesën e LDK-së dhe të Vetëvendosjes për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kërkesat për zgjedhje janë veprimtari politike normale e disa eksponentëve te opozitës, por që të jemi krejt të sinqertë, as opozitës sot nuk i duhen zgjedhjet”, ka thënë Nitaj në një bisedë për “Express”.
Aktualisht, Qeveria e Kosovës ka 52 vota në Kuvendin e Kosovës. Është duke funksionuar si Qeveri e pakicës pas largimit të Listës Sprksa.
Megjithëkëtë, edhe në radhët e opozitës nuk janë 61 vota për rrëzimin e Qeverisë.
Muharrem Nitaj ka një përgjigje për gjendjen e krijuar pas largimit të Listës Sprska nga Qeveria që ka mbetur e pakicës.
“Është e vërtetë që qeveria ka pak numra, por edhe opozita është e çakorduar dhe pjesa dërmuese e saj as që i ka si opsion zgjedhjet”, ka shtuar ai.
Por, as ky zyrtar i AAK-së nuk përjashton krejtësisht zgjedhjet.
Madje, ka një shpjegim interesant kur flet për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë së Ramush Haradinajt.
“Por Kosova është vend i çudirave dhe gjithçka është e mundur. Ne as nuk i ngjajmë kujt e as kush na përngjet neve. Vetëm se logjika e gjërave i përjashton zgjedhjet si opsion. Por nëse kjo ndodhë, AAK-ja është aty”, ka thënë Nitaj, i cili është anëtar i Kryesisë së AAK-së.



