Ushtarët e FSK-së dhe zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhurojnë gjak

24 janar 2019 | 15:35

Aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut me moton “Dhuro gjak, shpëto jetë” për nevoja të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës (QKTGJK), është aktiviteti i parë humanitar pas zyrtarizimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.

Pas Ministrisë së Mbrojtjes aktiviteti po zhvillohet edhe në Kazermën e Forcave Tokësore (KFT)  “Adem Jashari në Prishtinë”.

Me këtë rast, drejtori i Departamentit të Mjekësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel dr. Xhevdet Tahiraj, duke parë nga afër mbarëvajtjen e aktivitetit, ka përgëzuar ushtarakët dhe shërbyesit civilë të FSK-së për gatishmërinë dhe motivimin e tyre për të dhuruar gjak, në të mirë të shëndetit të pacientëve të institucioneve shëndetësore të vendit tonë.

Vetëm të mërkurën në Ministrinë e Mbrojtjes, aksionit i janë përgjigjur mbi 50 dhurues vullnetarë, ndërsa të enjten mbi 70 dhurues nga KFT-ja dhe njësive pranshtabore të saj.

Aksioni humanitar për dhurimin e gjakut në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) do të vazhdojë deri më 4 shkurt.

Ky është aksioni i parë humanitar për dhurimin e gjakut për këtë vit, dhe sipas planifikimit aksioni i dytë pritet të zhvillohet në muajt korrik dhe gusht.

Ushtarakët e FSK-së përveç në aksione të tilla, çdo herë kanë shprehur gatishmërinë që t’ju përgjigjen kërkesave për dhurim të gjakut edhe në periudha të tjera të vitit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Xhudistja e Kosovës, Majlinda Kelmendi është kualifikuar në finale Grand…